AlbanianSport.com 08/03/2019 20:15
ASNN – Ajo është një krenari e sportit shqiptar dhe ambasadorja më e mirë e sportit shqiptar në botë. Bëhet fjalë për Erblira Bicin, e cila është volejbolliste elitare dhe pjesë e një prej kampionateve më të forta të volejbollit në botë. Ajo ia ka dalë me sukses, falë punës dhe talentit të saj, të shkëlqejë në Serinë A1 të volejbollit të femrave në Itali, duke luajtur me yjet e volejbollit italian dhe atij botëror.
Ky sukses i madh dhe i pashoq, vjen nga një volejbolliste e dalë nga Shqipëria dhe që ka luajtur në kampionatin shqiptar, çka tregon se Shqipëria ka talente të mëdha në volejboll, të afta të luajnë me më të mirat e globit. E gjendur në radhët e Igor Novara Volejit, Bici po shkruan histori në karrierën e saj.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “SOT”, që AlbanianSport.com do t’jua sjellë në 3 pjesë dhe sot është pjesa e dytë, volejbollistja brilante e Shqipërisë rrëfen punën dhe përkushtimin me skuadrën e saj, arritjet, emocionet, spektaklin, por njëherësh jep mendimet e saj për zhvillimet në volejbollin shqiptar apo dhe apelimin që vajzat me talent në këtë sport ta provojnë veten në kampionate të forta jashtë vendit.
… vijon nga dje
– Ju keni arritur një kulminacion të karrierës tuaj, por a është Novara e ardhmja juaj afatgjatë? Çfarë projektesh keni për të ardhmen?
– Nuk dua të nxitohem, për momentin mendoj vetëm të stërvitem për ndeshjen e radhës. Për sa i përket të ardhmes mbetet për t’u parë. Unë kam një menaxher me të cilin, pas 3 vjetësh bashkëpunim, rikonfirmova përsëri bashkëpunimin me agjencinë e tij. Besoj në ofertat dhe këshillat e tij, e di se janë në të mirën time.
– A ka dallime ndërmjet skuadrave elitare, siç është Novara juaj, në raport me klubet e tjera pjesëmarrëse? Për krahasim po marr Shqipërinë, e cila ka një grup skuadrash të kreut që rivalizojnë për titull e të tjerat janë sa për numër në garë.
– Në Itali, në volejbollin e femrave, 3 janë ekipet kryesore që marrin pjesë dhe në Ligën e Kampioneve, Koneljano Volej, Igor Novara dhe Banka del Bene Skandiçi. Tre ekipet e tjera luajnë në një nivel më poshtë në Evropë, le të themi se ngjajnë me Ligën e Evropës në futboll. Këto skuadra janë Monza, Kasalmaxhore dhe Busto Arsizio. Mendojeni vetë, 6 nga 13 ekipe gjithsej luajnë në Kupat e e Evropës. Çdo javë është sfidë më vete. Nuk mund të gjendesh i papërgatitur, sepse dhe ekipi i fundit në renditje mund të të marrë pikë.
– A ka shumë lojtare të huaja në skuadrën tuaj dhe si ia dilni të komunikoni?
– Atëherë, në ekipin tim ka lojtare nga Italia, Argjentina, Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holanda dhe Shqipëria. Një konglomerat shtetësish, gjuhësh, kulturash dhe shijesh, por të gjitha i bashkon një gjë: volejbolli. Është një rregull i pashkruar që kush vjen në Itali për të luajtur duhet të mësojë të flasë italisht, e thënë ndryshe duhet të përshtatet. Koha ka treguar se ato që nuk e bëjnë, nuk e kanë “të gjatë” në kampionat. Çdo gjë lidhet me faktin që është kampionat prestigjioz dhe në këtë mënyrë çdo lojtare tregon se sa seriozisht e merr punën, sepse në fund të fundit kjo është një punë. Gjithsesi, e thashë që është diçka e pashkruar.
– Ju jeni pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, çfarë planesh ke me skuadrën në të ardhmen dhe cili është raporti që ju keni me vajzat e përfaqësueses apo ato që ke lënë në Shqipëri në këtë moment?
– Unë do të jem gjithmonë pjesë e Kombëtares Shqiptare të Volejbollit. Shpresoj që ekipi të vazhdojë në rrugë të mirë. E kam thënë shpesh që dëshiroj shumë që të rritet niveli, por jemi goxha mbrapa. Ka shumë arsye që e pengojnë sportin të ecë përpara në Shqipëri, por këtu nuk është momenti për t’u marrë specifikisht me këtë. Unë nuk kam dëshirë të jem ajo që nga larg jep mend, thjesht dua të kontribuoj dhe shpresoj ta bëj sa më shpejt. Për shkak të një vendimi të trajnerëve në Kombëtare ka pasur një rifreskim të brezave. Tani janë afruar vajza të reja me perspektivë. Do doja t’u jepej një dorë, që edhe ato të largoheshin, pse jo, jashtë Shqipërisë. Megjithëse, bota e volejbollit është si një oqean i madh, ndonjëherë është më mirë të dalësh nga ajo “zona e qetësisë” dhe të sfidosh veten për të parë ku je, ku mund të arrish dhe, mbi të gjitha, çfarë është sporti profesionist.
– Pas suksesit tuaj në Kupë, keni marrë shumë mesazhe dhe mediat në Tiranë kanë shkruar shumë për ju. Sa motivuese janë qëndrime të tilla për vazhdimësinë e lojës tuaj?
– Shumë motivuese, sigurisht, më bëjnë të ndihem mirë, ndihem e përkëdhelur me gjithë këto vlerësime. Unë do t’ua shpërblej duke luajtur më mirë në mënyrë që tani e tutje të shkruajnë edhe më mirë, edhe më shumë (shaka).
Vijon nesër…
Kush është Erblira Bici?
Datëlindja: 27.06.1995
Vendlindja: Gramsh
Shtatlartësia: 186 cm
Kombëtarja: Shqiptare
Ekipi aktual: Igor Novara Volej (Itali)
Numri i fanellës: 13
Karriera sportive:
2013-2016 – Fituese e të gjitha kupave dhe kampionatit me ekipin e Barleti Volejit
2015 – Sportistja e vitit në volejboll nga KOKSH-i
2017 – Volejbollistja më e mirë e vitit 2017
2018 – Volejbollistja më e mirë e vitit 2018
2018 – Lojtarja e Vitit në provincën e Piemontes
2018 – Finaliste e Kupës së Italisë në Serinë A2
2018 – Fituesja e “New Entry” tek “Albanian Sports Ambassador”
2019 – Fituese e Kupës së Italisë në Serinë A1