AlbanianSport.com 07/03/2019 22:05
ASNN – 80-vjetori i legjendarit Panajot Pano, Partizani përkujton ditëlindjen e “mbretit” të futbollit shqiptar. Panajot Pano u nda nga jeta 10 vjet më parë, por në zemrat e sportdashësve shqiptarë ai vijon të jetë i gjallë. Ka bërë ndeshje moderne për kohën e tij dhe i ka dhënë lavdi Partizanit dhe skuadrës kombëtare, në disa prej ndeshjeve që kanë mbetur në panteonin e futbollit kombëtar.
Pano u lind më 7 mars të vitit 1939 në Durrës dhe sot ai duhej të mbushte 80-vjeç. Klubi i Partizanit ka përkujtuar në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” me një material filmik disaminutësh veprimtarinë magjepsëse në fushën e lojës të ikonës së futbollit shqiptar. Panajot Pano luajti për 15 vite me Partizanin, nga vitit 1960 deri më 1975, duke shënuar 136 gola në kampionat në 210 ndeshje.
Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, duke spikatur me 4 gola në 28 takime. Pano ka luajtur në një kohë të vështirë, kur vendi ishte i izoluar, por magjia e tij me topin ka lënë mbresa tek sportdashësit, të cilët e kishin Panon idhullin e tyre. Rrallë do të vijnë në fushat e blerta të stadiumeve shqiptare futbollistë të kalibrit të Panajot Panos.