AlbanianSport.com 02/03/2019 22:15
ASNN – Shijakasit fitojnë në 3 sete ndaj shkodranëve, ndaj Partizanit për trofeun e Kupës së Shqipërisë. Pasi ka njohur finalisten e parë, Partizanin, Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj ka njohur të shtunën edhe finalisten e dytë dhe ajo është Erzeni, që ka mposhtur në 3 sete Vllazninë.
Përballja e luajtur në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë dhe, që, sikundër të gjitha përballjet e kësaj faze finale të veprimtarisë së dytë të rrjetës në vend, si për femra, ashtu edhe për meshkuj, është sjellë për sportdashësit drejtpërdejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka vënë përballë dy skuadrat që kanë dominuar deri më tani në kampionatin e këtij sezoni.
Por ashtu si në kampionat, ku, përtej faktit se e kanë mundur nga një herë njëra-tjetrën, por ku Erzeni kryeson e shkëputur renditjen në kuotën e 33 pikëve, pas 11 fitoresh dhe 1 humbjesh, ndërsa Vllaznia është 5 pikë prapa, 10 fitoresh dhe 1 humbjeje, edhe në gjysmëfinale janë shijkasit që dominuan, duke e marrë setin e parë, 25-21.
Vllaznia mundohet të reagojë, por kampionët në fuqi, të drejtuar nga trajneri Ben Sako, janë më të kujdesshëm dhe e marrin edhe setin e dytë, me të njëjtat shifra, 25-21. Seti i 3-të nuk ka shumë histori, pasi Vllaznia duket e dorëzuar dhe Erzeni e fiton atë bindshëm, 25-17 dhe gjithë ndeshjen 3-0, duke vendosur kështu kandidaturën për një triumf të dyfishtë në volejbollin shqiptar të meshkujve.