AlbanianSport.com 29.11.2014 07:55
ASNN – Tomori është bërë gati tashmë për derbin që do të luajë ndaj Naftëtarit, ndërsa një formacion i mundshëm i beratasve përballë kuçovareve do të mund të jetë: Vashaku, Avdo, Bitri, Bishaj, Kuçi, Ramazani, B. Myzyri, Arbëri, Uzuni, Papa, Shinko. Në prag të ndeshjes me Naftëtarin, tekniku i beratasve, Eqerem Memushi, do të deklaronte për shtypin sportiv se: “Sot do të jetë një ndeshje e veçantë për qytetin e Beratit, sepse pas disa vitesh rikthehet derbi i qarkut të Beratit”.
“Një derbi, që është zhvilluar shumë pak gjatë këtyre viteve të fundit pas ulje ngritjeve të të dyja ekipeve, – ka vijuar ai. – Jemi përgatitur me kujdes për këtë sfidë dhe besoj se do të korrim suksesin e radhës pas asaj fitore të bukur në Pogradec. Shpresoj te një “Fair-Play”, si në fushën e blertë, ashtu dhe në shkallet e stadiumit, për të ruajtur vlerat që kanë këto dy ekipe”. Ndërkohë kapiteni i Tomorit, Gersi Arbëri, e ka përgatitur që tani dedikimin e tij në rast fitoreje në derbin me Naftëtarin.
Për gazetat sportive të ai ka deklaruar: “Sot do të luhet një nga ndeshjet më të bukura të qarkut të Beratit. Jemi përgatitur për fitoren e radhës, statistikat e tregojnë vetë se cili ekip ka triumfuar në ndeshjet direkte. Në këtë ndeshje do të kem një dedikim për shokun tim më të ngushtë të ekipit, Alban Kuçin, i cili ka ditëlindjen”. Kësisoj beratasit janë përgatitur për të fituar me Naftëtarin dhe pse jo dhe për të marrë kryesimin në grupin e Jugut.