AlbanianSport.com 02/03/2019 20:35
ASNN – Durrsakët mposhtin të kuqtë kryeqytetas 84-71 dhe ruajnë largësinë prej 2 pikësh ndaj Teutës. Goga Basket vazhdon formën e saj të shkëlqyer në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Superliga, teksa të shtunën ka mundur një nga rivalet për titull, Partizanin, me rezultatin 84-71. Takimi i luajtur në Sallën kryesore të Arenës Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës ka folur i gjithi për vendasit e drejtuar nga trajneri i ri, Melzin Lazimi.
Ata e kanë fituar pjesën e parë 20-10. Sikundër dëshmojnë edhe shifrat, ky 10-minutësh i parë ka qenë i karakterizuar nga loja me theks mbrojtës, por edhe nga fakti se, edhe për arsye të gabimeve të shuma të Partizanit, Goga Basket i kufizon të kuqtë në vetëm 10 pikë të shënuara në po aq minuta. Loja hapet disi në 10-minutëshin e dytë, por Goga Basket e fiton edhe të, 24-17, duke shkuar kështu në pushimin e ndeshjes në kryesim me shifrat bindëse 44-27.
Asgjë nuk ka ndryshuar në kthimin e skuadrave nga dhomat e zhveshjeve, pasi skuadra vendase e fiton edhe këtë pjesë të 3-të me të njëjtat shifra, 24-17, duke e thelluar epërsinë në plot 24 pikë, 68-44. Pjesa e 4-t do të shohë një ulje të ritmit të lojës së skuadrës vendase dhe Partizani mundohet të përfitojë në maksimum, duke e fituar këtë pjesë loje 27-16.
Por kjo nuk ka mjaftuar, pasi Goga e Basket e fiton gjithë ndeshjen 84-71 dhe korr kështu suksesin e 12-të në 14 javë kampionat, ku kryeson e shkëputur në kuotën e 26 pikëve, dy më tepër sesa rivalja bregdetare, Teuta, ndërsa Partizani mbetet në vendin e 3-të, me 22 pikë, por ndjen nga pranë rivalen kryeqytetase, Tiranën, që ka vetëm një pikë më pak.