AlbanianSport.com 02/03/2019 18:55
ASNN – Të kuqtë e trajnerit Tomori mposhtin Tiranën dhe sigurojnë finalen e Kupës së Shqipërisë. Pas derbit të futbollit, të zhvilluar të premten, kryeqyteti ka zhvilluar të shtunën edhe derbin e volejbollit të meshkujve dhe Partizani ka mundur Tiranën në 3 sete, duke siguruar edhe vendin në finalen e trofeut të dytë të rrjetës në vend, Kupës së Shqipërisë.
Në fakt, sfida e sjellë për sportdashësit drejtpërdejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, nën komentin e gazetarit Gjergj Vyshka dhe specialistit Artan Pogoni, ka qenë një realitet krejt ndryshe nga jo që dy skuadrat kanë pasqyruar në kampionat, ku Tirana renditet e 3-ta, me 27 pikë, pas 9 fitoresh dhe 3 humbjesh.
Ndërsa Partizani e 5-ta me 16 pikë, pas 5 fitoresh dhe 6 humbjesh dhe në rrezik real për të siguruar “play-off”-in final për titull. Të kuqtë e drejtuar nga trajneri Ylli Tomori kanë ruajtur gjakftohtësinë dhe kanë triumfuar në një betejë nervash, 26-24 në setin e parë, duke hedhur kështu themelet e një fitoreje që do të ishte më e shpejtë se ç’mendohej.
Partizani e ka fituar edhe setin e dytë 225-21, ndërsa Tirana e trajnerit Ilo Koja është dukur gjithnjë e më e pafuqishme për t’u kthyer në lojë. Edhe seti i 3-të do të jetë e njëjta histori dhe Partizani e fiton atë 25-22 dhe gjithë ndeshjen 3-0, duke patur kështu një mundësi për ta synuar Kupën si ngushëllim përkundër një sezoni të vështirë në kampionat.