AlbanianSport.com 02/03/2019 18:05
ASNN – Verilindorët mundin gjirokastritët 3-0 në Elbasan, tani, -6 nga Partizani kryesues. Pas derbit të kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit, që u mbyll me rrjeta të paprekura, java e 24-t e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën pasdreke takimin e saj të dytë dhe, në Elbasan, Kukësi ka marrë një fitore të pastër, 3-0 ndaj Luftëtarit.
Kjo fitore e ka ngjitur skuadrën verilindore në kuotën e 44 pikëve, duke e shkurtuar kështu në vetëm 6 pikë largësinë që e ndan tanimë me Partizanin kryesues. Në të njëjtën kohë, kjo ishte edhe humbja e parë gjirokastritëve nën drejtimin e trajnerit Julian Ahmataj, që erdhi pas një vazhde prej 2 fitore dhe 2 barazimesh në 4 ndeshjet pararendëse.
Në fakt, skuadra e trajnerit Armando Cungu e ka dominuar takimin nga fillimi deri në fund dhe i është dashur vetëm 22 minuta lojë për të gjetur golin e parë me anë të Limajt. Në fakt, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë dygolëshe të verilindorëve, pasi Dzaria do të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 3-të shtesë. Në pjesën e dytë, Kukësi do të administrojë më së miri epërsinë dhe, në minutën e 4-t shtesë së kohës së rregullt, do të gjejë edhe golin e 3-të, me atë të Valdet Ramës.