AlbanianSport.com 02/03/2019 15:35
ASNN – Rekordmeni i 400 metrave nuk dihet nëse do të jetë në Botërorin e Dohas. Kampioni olimpik nga Afrika e Jugut, Uejd Van Najkërk ka thënë se ndoshta nuk do të konkurrojë në Kampionatin Botëror të Atletikës, që do të zhvillohet shtator të këtij viti në Doha. Periudhë kjo që përkon me rikthimin e tij pas dëmtimit.
Van Najkërk, i cili u dëmtua rëndë në fund të vitit 2017, ka dalë në mbrojtje të bashkëkombases së tij e shoqes së skuadrës në kombëtare, Kaster Semenias. “Kasteri është super e fortë dhe po lufton që femrat të kenë të drejta të barabarta”, – tha ai gjatë një konference për shtyp.
Fituesi i medaljes së argjendtë në Kampionatin Botëror të 2017-ës në Londër, shtoi më tej se ishte duke punuar shumë për të qenë në Doha, por e shikon shumë të vështirë. “Unë shpresoj shumë të jem atje, pasi gjërat po shkojnë mirë, – vijoi atleti 26-vjeçar. -Sinqerisht besoj se do të jem në Doha dhe do të konkurroj mjaft mirë.”
Rehabilitimi i tij është bërë në 3 vende të ndryshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katar dhe Afrikën e Jugut. “Do të doja që me rikthimin tim të dukesha më mirë se herët e tjera”, – tha ai me një buzëqeshje. Atleti i lindur në Kejp Taun vendosi rekordin botëror në 400 m me kohën, 43 sekonda e 3 të qindtat, në Lojërat Olimpike të Rios në 2016-ën.