AlbanianSport.com 02/03/2019 14:45
ASNN – Komisioni i Disiplinës, është mbledhur të shtunën për të shqyrtuar kërkesat e klubeve, për t’i riparë disa nga dënimet që janë dhënë më parë. Vendimet e marra janë publikuar në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ajo që bie në sy është refuzimi i pretendimit të Klubit “Flamurtari” për mosvlefshmërinë e kartonit të kuq të marrë nga Ribaj në ndeshjen me Partizanin javën e kaluar.
Komisioni i Disiplinës ka shpallur mos kompetencën e trajtimit të kërkesës së “Flamurtari”, duke u bazuar në Nenet 37 dhe 75 të Kodit të Disiplinës Sportive. Edhe kërkesa e Klubit të Futbollit “Erzeni”, për të pezulluar pjesën e mbetur të dënimit të fushës së tij është refuzuar. Komisioni i Disiplinës e ka quajtur këtë kërkesë si të pabazuar në Kodin e Disipinës Sportive dhe Rregulloret e tjera të FSHF-së.
Gjithashtu është rrëzuar kërkesa e KF “Memaliaj”, si të pa bazuar në Kodin e Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e tjera të FSHF-së, për fitoren në tavoline 3-0 ndaj Shkumbinit me pretendimin se Shkumbini ka aktivizuar 3 lojtarë që nuk kanë të drejte të luajnë në Kategorinë e Dytë, sepse kanë luajtur më parë në Kategorinë e Parë. Edhe kërkesa e KF “Sopoti”, është refuzuar si e pa bazuar në Kodin e Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e tjera të FSHF-së.
Skuadra librazhdase është dënuar me 4 ndeshje pa spektatorë në stadiumin e vet, për shkak të hedhjeve të sendeve të forta në fushë, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës. Janë dënuar edhe disa lojtarë të kampionatit të 19-vjeçarëve për veprime të pahijshme.