AlbanianSport.com 28/02/2019 23:00
ASNN – Në kuadër të javës së 14-të të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Femrave, të enjten u luajt takimi derbi Studenti-SHBF Tirana, e mbyllur me fitoren e skuadrës së trajneres Mirza Alibegaj, me shifrat e thella 104-73. Ishte një fitore e padiskutuar, e merituar dhe natyrisht një dypikësh që jo vetëm e afron me objektivat, por bën që SHBF Tirana të marrë përkohësisht kreun e renditjes.
Me përjashtim të 10-minutëshit të dytë që ishte i ekuilibruar dhe i barabartë dhe në pikëaverazh, të tre 10-minutëshat e tjerë i fitoi skuadra e SHBF Tiranës. Kështu, 10-minutëshi i parë përfundoi me shifrat 28-15 në favor të Tiranës së Alibegajt, i dyti ishte i barazpeshuar dhe përfundoi 26-25 në favor të Studentit, kurse dy 10-minutëshat, i 3-ti dhe të 4-ti, përfunduan me fitoren e bardhebluve, përkatësisht 21-16 dhe 31-16.
Padyshim, kjo fitore është domethënëse për renditjen, pasi ekipi bardheblu merr përkohësisht kreun me 25 pikë, një më shumë sesa rivalja tjetër e kryeqytetit, SHKBF Tirana e trajnerit Erdal Borova. Kjo e fundit luan këtë të premte ndaj Elbasanit, një takim që luhet në orën 15:00. Ndeshja tjetër e këtij grupi dhe njëherësh e fundit për këtë javë, Vllaznia-Flamurtari, luhet ditën e shtunë në orën 12:00 në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Java e 14-të:
Të enjten, 28 shkurt 2019:
Studenti – SHBF Tirana 73-104
Të premten, 1 mars 2019:
Elbasani – SHKBF Tirana (15:00)
Të shtunën, 2 mars 2019
Vllaznia – Flamurtari (12:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- SHBF Tirana 14 11 3 25
- SHKBF Tirana 13 11 2 24
- Flamurtari 13 9 4 22
- Vllaznia 13 7 6 20
- Studenti 14 2 12 16
- Elbasani 13 0 13 13