AlbanianSport.com 28/02/2019 16:35
ASNN – Kush ia përmendi pensionin? Ansi Agolli vijon të shkruajë histori, duke sfiduar moshën dhe duke pasur rendiment të lartë në fushën e lojës. Këtë herë mbrojtësi i majtë i Shqipërisë, falë lojës së mirë me skuadrën e Karabagut, është zgjedhur në 11-shen e javës në Azerbajxhan. Skuadra e tij mundi në fundjavën që lamë pas Gabalanë, ekip ku aktivizohet Sabien Lilaj.
Agolli nuk ka ndërmend të pensionohet dhe kush e ka çuar nëpër mend e ka gabim. Përgjigjen më të mirë ai e jep në fushën e gjelbër dhe përzgjedhja e tij në formacionin e javës në kampionatin azer dëshmon se ka ende për të dhënë dhe di të ruajë ritëm të lartë loje, gjë që shumë të tjerë nuk e kanë.
Me pak fjalë, të gjithë ata që kanë parashikuar pensionimin e Ansi Agollit duhet të presin, sepse mbrojtësi as ka ndërmend të tërhiqet, madje duket se po bën garë me kohën, sepse niveli i paraqitjeve të tij është fizikisht dhe cilësisht në një nivel me më të mirët tek skuadra e tij e Karabagut. Mëkat që trajneri Kristian Panuçi nuk e fton në përfaqësuese, pasi eksperienca e tij mund të ndihmojë skuadrën të gjejë ekuilibrat e duhur jo vetëm në repartin mbrojtës, por të krejt skuadrës.