AlbanianSport.com 28/02/2019 14:45
ASNN – Dominon Evropa, me 12 skuadra, por favoritë janë amerikanët. Mungon Kroacia dhe Sllovenia. Në verë do të zhvillohet Kampionati Botëror i basketbollit të Meshkujve, me pjesëmarrjen e 32 skuadrave më të mira të dala nga faza eliminatore sipas kontinenteve të ndryshme.
Ajo që vlen të theksohet është se jashtë Botërorit kanë mbetur ekipe si Kroacia dhe Sllovenia që shquhen në rang evropian për cilësinë, por emrat e mëdhenj në tërësi e kanë siguruar kualifikimin dhe këtu nuk është fjala vetëm për Spanjën, Rusinë e ndonjë tjetër, por edhe SHBA-ja, Argjentina, e kuptohet edhe vetë Kina organizatore.
Nga Evropa do të jenë 12 ekipe, nga Afrika 5, nga Amerika e Veriut dhe e Jugut 7 ekipe, nga Azia 6 skuadra dhe Oqeania 2 skuadra. Siç shihet, dominimi evropian në numrin e skuadrave është i madh, por favorite për titullin mbetet, padyshim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për cilësinë e lartë të basketbollit që disponon.
Një tjetër fakt interesant është se nga Ballkani janë jo pak por katër skuadra, si Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Turqia. Por siç thamë, Kroacia dhe Sllovenia i mungojnë këtij Botërori, pasi të dyja skuadrat në fjalë janë mjaft cilësore dhe mund ta rrisnin edhe nivelin e Kampionatit Botëror.
32 skuadrat që janë kualifikuar në Botërorin e Kinës së vitit 2019:
Evropa: Italia, Greqia, Serbia, Republika Çeke, Lituania, Gjermania, Mali i Zi, Rusia, Polonia, Turqia, Franca dhe Spanja.
Azia: Kina, Japonia, Jordania, Irani, Filipinet dhe Koreja e Jugut.
Oqeania: Zelanda e Re dhe Australia.
Afrika: Nigeria, Senegali, Bregu i Fildishtë, Angola dhe Tunizia.
Amerika: SHBA, Kanada, Brazili, Argjentina, Venezuela, Republika Domenikane, Porto Riko.