AlbanianSport.com 22/02/2019 13:45
ASNN – Çiklistët më të mëdhenj të historisë, në 10 më të mirët edhe një grua, Lens Armstrong, midis admirimit dhe urrejtjes. Në historinë e tij 149-vjeçare, çiklizmi si sport ka pasur disa sportistë të tmerrshëm që konkurrojnë jo vetëm në rrugë, por edhe në peloton (pistën) e famshme profesionale.
AlbanianSport.com do të sjellë për lexuesit në këtë rubrikë një radhitje të 10 sportistëve më të mëdhenj në historinë e çiklizmit botëror. Dje ishte pjesa e parë e kësaj 10-shjeje, ndërsa sot pjesa e dytë dhe e fundit.
…vijon nga dje
- FELICE XHIMONDI – Çiklisti që nuk la garë pa fituar
Një nga kampionët më të mëdhenj italianë të të gjitha kohërave, Xhimondi është një nga 3 çiklistët e historisë që i ka fituar të gjitha në karrierën e tij, përfshi “Turin e Francës”, “Xhiron e Italisë”, “Vueltën e Spanjës”, “Kampionatet Botërore të Rrugëve” dhe “Paris- Roubaix”.
Kampion gjithandej, i padiskutuar, dhe Xhimondi është gjithashtu i vetmi italian që fiton çdo “Grand Tour” dhe serisë së tij të fitoreve madhështore u shtohen dy “monumente” siç janë gara Milano-San Remo në vitin 1974, si dhe Turin e Lombardisë në vitin 1966 dhe 1973.
Referuar specialistëve dhe studiuesve të historisë së çiklizmit, Xhimondi mund të cilësohet si sportist që nuk ka lënë gjë pa fituar nga aktivitetet që kanë qenë në kalendarin e ndonjë federate çiklizmi në Evropë. Nëse nuk do të kishte garuar në një kohë me Merksin legjendar, atëherë Xhimondi do të kishte qenë padyshim numri një i kësaj liste me çiklistët më të famshëm të të gjitha kohërave.
- XHEK ANKETIL – Një francez triumfator
Në vend të katërt kemi përzgjedhur një francez, një sportist të lindur për garat me dyrrotakët. Dhe në fakt, çiklisti i parë në histori për të fituar “Turin e France”, plot 5 herë, bie menjëherë në sy, francezi Xhek Anketil, ishte gjithashtu i pari që fitoi të 3 “Grand Tours” – duke përfshirë dy triumfe në “Xhiron e Italisë”. Në ditën e tij më të mirë, Anketil njihej si më i madhi në botë i kohës së tij.
Duke marrë madje 9 herë rekordin e “Grand Prix des Nations”. Të gjitha kanë ndodhur me këtë sportist sepse Anketil ka fituar 200 gara rrugore, dhe 8 “Grand Tour”-e. Me plot gojën mund të thuhet se ai krahasohet me legjendarin Merks dhe Bernard Hino dhe është i denjë për librat e rekordeve. Një çiklist që nuk do të shihet për së shpejti në garat e rrugëve.
- FAUSTO KOPI – Kampioni i Kampionëve
Ai ka jetuar në një kohë të vështirë, por kjo nuk e ka penguar të jetë çiklisti më i mirë i kohës dhe një nga më të mëdhenjtë që kanë garuar ndonjëherë në këtë sport. Megjithëse nuk ishte në gjendje të konkurronte gjatë karrierës së tij për shkak të Luftës së Dytë Botërore, “Il Campionissimo” (Kampioni i Kampionëve) ende pretendoi fitoren e 7-të në “Grand Tours”, konkretisht në “Xhiron e Italisë”, fitues i 5-fishtë, një rekord për të, si dhe dy herë fitues i “Turit të Francës”.
Ajo që i jep Fausto Kopit avantazh mbi disa prej të tjerëve në këtë listë, megjithatë, ishte rrumbullakosja e trofeve të tij, domethënë fitoi gjithçka që i doli para, duke mos u kursyer në asgjë dhe duke lënë emrin e tij në librin e historisë së ciklizmit botëror. Kjo pasi ai fitoi Kampionatin Botëror të Rrugëve, “Paris Roubaix”, “Milan-San Remo” (3 herë) dhe Turin e Lombardisë 5 here, për të shkuar në 9 fitore në total në Klasiket një-ditore. Për nga arritjet, vetëm dy çiklistë kanë mundur t’i thyejnë shifrat e Fausto Kopit.
- BERNARD HINO (në origjinal: Bernard Hinault) – “Kalorës” i paepur dhe ngadhënjimtar i pashoq
Me 250 fitore si profesionist, 52 fitore në kronometër në garat e mëdha, 10 tituj “Grand Tour” dhe 5 fitore në klasiken njëditore të çiklizmit, është vërtet e mahnitshme që ka sërish një tjetër “kalorës” që ka arritur të kapërcejë atë që Hinoja ishte në gjendje të bënte në karrierën e tij të çiklizmit.
“Badger” (nofka e Hinos) ishte i njohur për stilin e tij agresiv dhe sulmues dhe ishte një sportist i plotë i cili nuk kishte dobësi në biçikletë. Ai ishte gjithashtu i vetmi “kalorës” përveç Merksit, për të fituar çdo garë ku ka marrë pjesë dhe për t’u shpallur “kampion” në çdo lloj gare biçikletash që ka marrë pjesë.
Pra, si në fushë dhe në mal, si në gjelbërim dhe në shkretëtirë, si në shi dhe në thatësirë, si buzë detit ashtu dhe rrëzë malit. Ky çiklist mund të quhet edhe sportist universal i dyrrotakëve. Në vitin 1980 ishte Kampion i botës në garën e rrugës, dhe siç thamë, ai i ka fituar të gjithë “Grand Tours”-et.
- EDI MERKS – Kanibali
Për 10 vjet, Edi Merks mbizotëronte çiklizmin profesionist, ashtu sikurse disa atletë kanë shkruar historinë e sportit. Me emrin “Kanibal”, një nofkë e pazakontë, për mënyrën se si ai “hëngri” konkurrentët e tij me stilin e tij të pamëshirshëm, Merksi është cilësuar si më i madhi turneve “Grand Tour” dhe më i madhi i garave klasike që janë zhvilluar ndonjëherë.
Në një sport të mbushur me specialistë në epokën moderne, ne kurrë nuk mund të shohim një çiklist i cili është në gjendje të fitojë çdo garë të madhe në kalendarin vjetor, ashtu siç ka fituar në fakt, i pari dhe i vetmi, Edi Merks. Shumë njerëz, sidomos ata që janë të apasionuar pas ciklizmit, mund të kenë pretendime për këtë klasifikim të përpiluar këtu.
Natyrisht, secili ka shijet e veta, por radhitja në 10-shen më të mirë është bazuar në kritere të forta që ka vendosur vetë federate botërore e ciklizmit, dhe njëherësh impaktiq ë kanë pasur sportistët në kohë të ndryshme. Padyshim, Merks është një legjendar i pathyeshëm deri më sot.