AlbanianSport.com 20/02/2019 23:50
ASNN – Gjallërohet shtanga, presidenti Masllavica inspekton klubet në prag të Kupës së Shqipërisë. Më 28 shkurt në Tiranë do të zhvillohet Kupa e Shqipërisë në peshëngritje, e cila shënon aktivitetin e parë madhor për vitin 2019, një veprimtari për të rritur që shërben edhe për të parë formën e sportistëve dhe njëherësh për të zgjedhur ekipin që do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të pranverës. Kuptohet, ambicia e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes është të rrisë moralin e sportistëve dhe trajnerëve në këtë periudhë.
Por edhe për të angazhuar stafet për një punë cilësore dhe pjesëmarrje të gjerë. Ka qenë vetë presidenti i FSHP-së, Theodhor Masllavica, i cili ka zhvilluar një tur të gjatë inspektimi në mjediset stërvitore, duke inkurajuar sportistët dhe trajnerët për rezultate të larta dhe duke u premtuar shpërblime për ata që do të kenë sukses. Nuk është hera e parë, sepse, në më pak se 3 muaj, ai ka zhvilluar dy ture të gjata të tilla, në mënyrë që shtangistët dhe trajnerët e tyre të ndjejnë dorën e ngrohtë të mbështetjes nga Federata.
Padyshim që kjo është një risi pozitive. Në këtë tur inspektimi është konstatuar se ka vullnet për punë dhe rezultate, se ka arritje në grumbullimin e të rinjve në qendrat stërvitore dhe se po gjallërohet mjaft aksi Tiranë-Elbasan-Berat, si dhe aksi Durrës-Peqin-Lushnjë-Fier. Natyrisht, klube si Skënderbeu, Vllaznia dhe Flamurtari, duhet të bëjnë më shumë për të kthyer traditën e peshëngritjes. Sidoqoftë, elita e shtangës është në Tiranë, me skuadrën bardheblu, por edhe në palestrën e ekipeve përfaqësuese, ku shkëlqen treshja Calja-Godelli-Qerimaj, të cilët mbeten hëpërhë të pakonkurrueshëm.
Në turin e fundit të inspektimit, Masllavica ishte në klubin e Shtërmenit, atje ku trajneri i apasionuar Leonard Toska ka një grup sportistësh me të ardhme dhe besohet se do ta fuqizojë shumë shtangën shqiptare në vitet në vijim. Vetë Presidenti i Federatës nuk i ka kursyer lëvdatat për punën e trajnerëve dhe të sportistëve të peshëngritjes, duke u dhënë atyre mbështetje në prag të Kupës së Shqipërisë. Atje ku ka dashuri do të ketë dhe rezultate dhe peshëngritja po tenton të rigjallërohet me elementë të rinj, me një dashuri që nuk shteron kurrë në këtë sport.