AlbanianSport.com 20/02/2019 18:20
ASNN – Xhudistja nga Kosova synon medaljen në Gjermani, pas triumfit para një muaji në Izrael. “Grand Slam”-i i Dyseldorfit është ndalesa e radhës në rrugën drejt Tokios për Majlinda Kelmendin. Kampionia olimpike do të rikthehet të premten në gara, pas pushimit që bëri në “Grand Slam”-in e Parisit. Kampionia olimpike e Kosovës do të garojë në Grand Slamin e Dyseldorfit, që mbahet prej të premtes deri të dielën.
Majlinda, e cila do të garojë të premten në kategorinë e saj deri në 52 kilogramë, është garuesja e vetme që do të përfaqësojë Kosovën, pasi xhudistët tjerë, Akil e Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, do të pushojnë. Grand Slami i Dyseldorfit është gara e dytë këtë vit për medalisten e artë Olimpike, pas medaljes së artë të fituar muajin e kaluar në Çmimin e Madh (Grand Prix) të Tel Avivit.
Në Dyseldorf marrin pjesë 683 garues nga 97 shtete, ndërsa “Grand Slam”-i është i vlefshëm për pikë Olimpike Tokio 2020. “Dyselforfi është një ndalesë vendimtare në rrugën drejt Lojërave Olimpike “Tokio 2020” dhe Kampionatit Botëror të Xhudos, që mbahet në Tokio këtë vit. Kampionët Olimpikë dhe të botës do të garojnë në Gjermani, ku tifozët e xhudos mund të presin një garë spektakolare”, – ka deklaruar presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer.