Gjergj Vyshka 23.09.2014 19:50
Federata Shqiptare e Futbollit, përmes faqes së saj në Internet, ka lajmëruar se dje në mesditë është mbledhur Komiteti Ekzekutiv, i cili pikësëpari ka vendosur për çmimet e biletave të ndeshjes së 11 tetorit, Shqipëri-Danimarkë, e cila do të luhet në “Elbasan Arena” dhe është e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”. Jo vetëm kaq, por Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur që këtë fundjavë të nisë Kampionati i Kategorisë së Parë, që duhet të kishte startuar më 13 shtator, dhe ai i së Dytë, i cili në fakt duhet të kishte filluar më 20 shtator.
Po kështu Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që ekipet që nuk kanë shlyer detyrimet financiare, brenda javës duhet të derdhin në FSHF, 50% të detyrimeve që kanë për edicionin 2014-2015. Për pjesën e mbetur të detyrimeve do të bëjnë një aktmarrëveshje me FSHF për t’i likuiduar më 31 dhjetor 2014. Por sigurisht që ka dhe kushte, të cilat janë: “Nëse brenda javës, klubet pjesëmarrëse nuk likuidojnë 50 % të detyrimeve, klubet debitore humbin ndeshjen në tavolinë. Sa i takon infrastrukturës, të gjitha klubet duhet të sjellin brenda javës në FSHF garancinë e policisë për të marrë përsipër mbarëvajten e të gjithë aktivitetit.
Në të kundërt duhet të sjellin marrëveshje me një nga stadiumet e tjera, të miratuara nga Policia e Shtetit”. Që do të thotë se përpos humbjes në “tavolinë”, gjithnjë nëse nuk paguhet 50 përqind e detyrimeve, kampionati i Kategorisë së Parë, apo dhe i së dytës, rrezikon të kthehet në një garë të fushave asnjanëse. Sepse edhe për shkak të një liste që policia ka dërguar në Federatën Shqiptare të Futbolli për ato stadiume që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë, klubet do të shkojnë të luajnë jashtë qytetit të tyre.
Shpenzime shtesë, por dhe tifozëri e humbur, ndërsa kështu të gjithë mendojnë se aktet e dhunës do të jenë më të minimizuar. Megjithatë edhe kështu Kategoria e Parë dhe e Dytë do të nisë, sepse janë plot 40 skuadra, të ndarë në Veri dhe Jug, që presin të luajnë jo më miqësore, por ndeshje të vërteta e zyrtare të vlerësuara me pikë. Ndërkaq Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që të nisë po këtë fundjavë dhe kampionati i Kategorisë së Parë, për Nën-17 dhe Nën-19-vjeçarët, kurse skuadrat pjesëmarrëse janë të detyruara që brenda javës të shlyejnë detyrimet financiare, në të kundërt e humbasin ndeshjen në tavolinë.
Përfundimisht, si E Para dhe E Dyta, ashtu dhe Nën-17 dhe Nën-19-vjeçarët e Të Parës, e kanë një datë për nisjen e kampionatit, por me shumë kërkesa që mund të lërë dhe ndeshje të paluajtura. E deri të shtunën dhe të dielën, periudhë në të cilën duhet të nisë gara, ka kohë për të rregulluar gjithçka nga ana e klubeve, sepse tanimë kampionati është zyrtarisht i hapur…