AlbanianSport.com 20/02/2019 17:25
ASNN – Futbollisti kuqezi, “viktimë” e shokut të skuadrës, Sulej Muntari, gjatë seancës stërvitore të së martës. Rei Manaj është sërish i pafat, por këtë herë e pëson nga shoku i tij i skuadrës. Pas dëmtimit të rëndë që pësoi në fytyrë disa javë më parë, që e detyroi të vendoste një maskë si mjet mbrojtës për të luajtur, tashmë sulmuesi i kombëtares kuqezi ka marrë një tjetër goditje.
Manaj është dëmtuar në seancën e fundit stërvitore të skuadrës së tij spanjolle, Albasetes, pas një ndërhyrjeje të ashpër të ish-mesfushori të Interit dhe Milanit, Sulej Muntari, i cili prej disa javësh është bërë pjesë e ekipit spanjoll të nivelit të dytë të kampionatit spanjoll të futbollit, që njihet si Segunda Division. Ganezi njihet për temperamentin e tij luftarak dhe lojën e ashpër.
Ky është dëmtimi i dytë në vetëm pak kohë për 21-vjeçarin nga Lushnja dhe tashmë mbetet vetëm për t’u përcaktuar shkalla e lëndimit. Pak kohë më parë, futbollisti i Kombëtares kuqezi u dëmtua në fytyrë në ndeshjen me Granadën dhe humbi ndjenjat, për ta marrë më pa veten në spital, duke pësuar vetëm disa fraktura të vogla në hundë dhe në mjekër.
Manaj po zhvillon një sezon të mirë me Albaceten që renditet në vendin e parë të Segunda Division dhe synon ngjitjen në La Liga, pasi shqiptari ka realizuar deri tani 5 gola në kampionat dhe 1 në Kupën e Mbretit. Dhe ky dëmtim vjen në një kohë të papërshtatshme për të, sepse vetëm pas javë më vonë është edhe ndeshja e Kombëtares kuqezi me Turqinë.