AlbanianSport.com 20/02/2019 08:50
ASNN – Në Francë u luajt dueli i parë i 1/8-ve të finales së Ligës së Kampioneve midis Lionit dhe Barcelonës, një ndeshje që u mbyll në barazim 0-0. Ishte një duel mjaft interesant, ndërmjet dy skuadrave me emër të madh, por me katalanët dukshëm superiorë, të cilët shihen edhe pas këtij takimi si favoritë për të kaluar në turin tjetër të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit.
Ndeshja nuk prodhoi shumë histori, edhe pse Barcelona goditi plot 20 herë në drejtim të portës. Vetëm 6 goditje ishin në kuadrat dhe asnjëra nuk përfundoi me topin në rrjetë. Barcelona sulmoi më shumë, sigurisht, por treshja e saj në vijën e parë ishin mjaft të “përçarë” mbrëmjen e sotme, pasi as Mesi, as Suarezi e as Dembeleja nuk ia dolën të shtynin topin në rrjetë.
Madje Mesi nuk ishte në ditën e tij më të mirë, kurse Dembele u zëvendësua në pjesën e dytë me Kutinjon, pikërisht për të freskuar repartin ofensiv. Loja e Barcelonës u gjallërua mjaft në minutat e fundit, por topi nuk e gjeti dot rrugën e rrjetës e për pasojë Lioni ia doli ta mbyllë ndeshjen në barazim pa gola, një rezultat që i krijon tension ekipit katalanas, që sidoqoftë ka epërsinë që ndeshjen e kthimit do ta luajë në “Kamp Nou”.