AlbanianSport.com 19/02/2019 22:55
ASNN – Liga e Kampioneve, nuk ka gola në “Enfilld”, Liverpuli e Bajerni e lënë fatin e kualifikimit për ndeshjen e kthimit. Mbrëmjen e së martës, Liverpuli dhe Bajerni i Mynihut u përballën në duelin e tyre të parë në kuadër të turit të 16-shes, një ndeshje që ishte spektakolare në tërësinë e saj, në nivel të lartë dhe me presing të lartë. Padyshim, Liverpuli e dominoi ndeshjen, iu afrua më shumë golit dhe punoi më shumë në fushë për ta fituar ndeshjen, kjo dhe për faktin se dueli luhej në fushën e tyre.
Por pavarësisht përpjekjeve të Mohamed Salahut, Sadio Manesë e Firminjos, Liverpulit i mungoi goli në këtë takim. Bajerni mendoi më shumë për mbrojtjen dhe kontrollin e mesfushës dhe në strategjinë e tij për të “qetësuar” nervat e Liverpulit ia doli, sepse taktika e bavarezëve pati efekt mjaft të mirë dhe duke mos lënë hapësira në mbrojtje dhe duke shkatërruar aksionet e kundërshtarit ishte një strategji efikas për të mos pësuar gol.
Dhe në këtë prizëm Bajerni e sheh veten të fituar, sepse ndeshjen e kthimit do ta luajë në fushën e vet në Gjermani. Sa i takon ndeshjes, Liverpuli ruajti gjatë gjithë ndeshjes një profil të lartë sulmi, sidomos në presingun për topin e parë dhe diagonalet mjaft të bukura të cilave u mungoi vetëm finalizimi, pra goli. Natyrisht, gjermanët e shohin veten të favorizuar pas kësaj ndeshjeje, sepse në “Allianz Arena” do të kenë më shumë shanse për kualifikim.