AlbanianSport.com 19/02/2019 18:20
ASNN – Napoli nuk po merr rezultatet e duhura dhe kjo situatë e ka vënë presidentin De Laurentis në pozita të vështira. Mediat italiane shkruajnë se presidenti i klubit napolitan do të bëjë ndryshime thelbësore në organikë, duke i kërkuar mendim trajnerit Ançeloti për lëvizjet. Kuptohet, trajneri ka preferencat e veta dhe në këto preferenca nuk përfshihet mbrojtësi i skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë, Elseid Hysaj.
Gazeta italiane me bazë në Napoli, “Il Mattino”, shkruan se një tjetër largim në verë është edhe shkodrani Elseid Hysaj, i cili ka humbur terren te Napoli dhe francezi Malkuit është i preferuari i Ançelotit. Në kushte të tilla, klubet e interesuara për Hysajn mund të nisin në verë bisedime konkrete. Natyrisht, pista “Çellsi” mund të bjerë shpejt, sepse trajneri Mauricio Sarri ka problemet e veta tek klubi londinez.
Dhe vështirë se do të mbajë drejtimin e skuadrës për shumë kohë. Për Hysajn klubet e interesuara deri tani janë jashtë Italisë dhe pengesë për lëvizjen bëhet klauzola 50 milionë euro, por kjo gjë mund të evitohet nëse për Hysajn do të ketë interesime nga klube brenda kampionatit italian. Klauzola prej 50 milionë eurosh e Hysajt nuk funksionon brenda Italisë, kështu që shqiptarin mund ta marrë që në qershor ndonjë klub tjetër i Serisë A italiane.