AlbanianSport.com 19/02/2019 15:45
ASNN – Berat Gjimshiti mbushi të martën 26 vjeç. Urimin më të veçantë ia bëri klubi i Atalantës, për të cilin kohët e fundit mbrojtësi shqiptar kishte bërë sakrificë në mbrojtje dhe në sulm, duke qenë një nga më të përkushtuarit në fushën e lojës dhe plotësisht i merituar si titullar në shumicën e ndeshjeve që ka zhvilluar ekipi bergamas në kampionatin italian dhe në Kupën e Italisë.
Urimi i Atalantës ka ardhur në faqen zyrtare të klubit në rrjetin social “Twitter”, teksa në fund ka ftuar tifozët që të përshëndesin mbrojtësin me mesazhet e tyre të urimit, duke dëshmuar se Atalanta e çmon jashtë mase mbrojtësin e përfaqësueses së Shqipërisë. Madje klubi thekson në mesazhin e vet për tifozët që ata që duan ta takojnë nga afër dhe të marrin firmën e tij mund ta takojnë në dyqani i klubit të Atalantës.
Loja që ka treguar Gjimshiti në javët e fundit janë dëshmi e rritjes së tij cilësore në lojën e grupit dhe vendimtar me ndërhyrjet dhe bllokimin e kundërshtarëve. Mbrojtësi shtatlartë i përfaqësueses kuqezi ka bindur me paraqitjet e tij stafin teknik të klubit, veçanërisht trajnerin Xhanpiero Gasperini, duke qenë një nga shtyllat e mbrojtjes së skuadrës bergamase.
Forma dhe paraqitjet e mira të Gjimshitit me Atalantën, ku skuadra e tij renditet në vend të gjashtë në Serinë A italiane, janë dëshmi edhe për trajnerin e Kombëtares Kristian Panuçi, i cili mund t’i besojë Gjimshitit qendrën e mbrojtjes në duelin që Shqipëria do të ketë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës në përballjen e parë eliminatore të Euro-2020 kundër Turqisë.
26-vjeçari Gjimshiti është në formë dhe Panuçi ka arsye të ndihet i qetë sa i takon repartit të prapavijës.