AlbanianSport.com 18/02/2019 21:50
ASNN – Futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave vlerësohen sipas shumë treguesve dhe e vërteta është se asnjëherë studiuesit, tifozët, analistët, optimistët dhe skeptikët, nuk merren vesh për më të mirin, jo vetëm për shkak të preferencave personale, por edhe se në kohë të ndryshme futbolli shfaq cilësi të ndryshme dhe natyrisht shpejtësi të ndryshme. E thënë ndryshe, duke bërë një gjykim të caktuar për një futbollist që luan aktualisht në fushë, nuk mund të jesh kaq i përpiktë për të bërë gjykimin e një futbollisti që ka luajtur para 70 apo 80 vjetësh.
“AlbanianSport.com” sjell në vëmendjen e lexuesve disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit të kombit shqiptar. E dimë, lexuesit mund të mos kënaqen me këtë radhitje, aq më pak njerëzit që kanë luajtur vetë futboll dhe mund të kenë preferenca të ndryshme, madje ne as nuk pretendojmë të jemi vlerësuesit më të mirë, por do të përpiqemi të krijojmë një ndarje për efekt radhitjeje, sepse secili prej tyre e shumë të tjerë jashtë listës e meritojnë të jenë të pranishëm këtu.
Para se të dalim në emrat konkretë, duhet të përmendim këtu edhe disa lojtarë që kanë shkëlqyer me talentin dhe lojën e tyre, të tillë si Stërmasi, Gjinali, Dinella, vëllezërit Ballgjini, Çeço, Rragami, Hafizi, Përnaska, Zëri, Minga, Kola, Muça, Petro e Vasil Ruci, Ziaji, Taho, Alimehmeti, Shulku, Skela, Tare, Bogdani, Strakosha, V. Sinani, Muka, Jupi, Salihi e shumë e shumë të tjerë. Të 11 të përzgjedhurit tanë po vijnë për ju çdo ditë përgjatë 11 ditëve në vijim, duke nisur nga e marta e shkuar.
Futemi tani në 5-shen më të mirë të historisë së futbollit shqiptar. Nuk është e lehtë të përmendësh emra, sepse shqiptari e ka zakon të jetë kudo i pari, edhe në futboll, por kushtet na detyrojnë të bëjmë një ndarje të drejtë e të pranueshme. Për këtë arsye lipset mirëkuptim. Fundja, emrat që do të radhisim kanë përmasa që nuk mund të atakohen për pozicionimin, sepse e kanë shkruar me talent dhe djersë emrin e tyre në radhët e më të mirëve.
- Lorik Cana – Kapiteni historik i Kombëtares
Lorik Cana lindi në Prishtinë më 27 korrik të vitit 1983. Është një prej futbollistëve më të spikatur shqiptarë dhe ka një karrierë brilante me shumë skuadra e veçanërisht në Kombëtare. Nëse ka një futbollist që përfshihet në këtë 10-she pa debate dhe pa kundërshti është padyshim Lorik Cana. Për disa arsye: së pari, Cana është kapiteni më frytdhënës i Kombëtares, pasi pati kontribut të çmuar në kualifikimin e Shqipërisë në Europian.
Nëse përfaqësuesja luante si një skuadër në Euro-2016 ishte për shkak se kishte në mbrojtje një shtyllë të fortë dhe një lider, i aftë të angazhonte grupin në dhënien e 100% të kapaciteteve të tij. Së dyti, Lorik Cana është lojtari me më shumë paraqitje në skuadrën kombëtare, plot 93 ndeshje, ku ka shënuar edhe një gol. Nga ana tjetër, Cana ka luajtur në kampionatet elitare si në Francë (Paris San Zhermen dhe Marsejë, Nantes), Angli (Sanderlend), Turqi (Gallatasarai), Itali (Lacio).
Në karrierën e tij të gjatë, Cana ka luajtur 500 ndeshje në elitë. Në Shqipëri dhe në Kosovë ka një popullaritet të pamasë dhe është një nga lojtarët më të dashur. Ai është dhe symbol nbashkimi i futbollit kombëtar, duke nxitur të krijohet një përfaqësuese e përbashkët dhe një bashkim i futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Prania në këtë 10-she plotësisht e merituar.