AlbanianSport.com 18/02/2019 16:20
ASNN – Spikati Abazaj, debutim me gol për Osijekun, ka edhe dy përballje shqiptare në kontinent. Ka qenë një fundjavë e përzierë kjo për futbollistët kuqezi të shpërndarë anembanë kontinentit, por në përgjithësi një fundjavë e kënaqshme, edhe pse disa prej tyre e kanë gjetur veten përballë njëri-tjetrit. Natyrisht spikati sulmuesi Kristal Abazaj, i cili ka patur nevojë për vetëm 11 minuta, për të gjetur golin e tij të parë me Osijekun në kampionatin kroat.
Shqiptari, i cili nuk arriti të gjente hapësirën e duhur në kampionatin belg tek Anderlehti, i cili e huazoi gjatë merkatos së janarit tek klubi kroat, është futur në lojë në minutën e 57-të dhe atë të 68-të, ka realizuar një gol të bukur, që i ka mjaftuar Osijekut të mposhtë minimalisht Istrën. Në Greqi, Migjen Basha është ndëshkuar me karton të kuq në barazim 1-1 që Arisi i Selanikut mori ndaj Panioniosit të Fiorin Durmishajt.
Ky i fundit, sidoqoftë, nuk arriti ta gjejë rrugën e rrjetës. Ndërkaq, në Itali, aty ku Berat Gjimshiti është i dëmtuar dhe Atalanta e tij dhe e Etrit Berishës u mund të shtunën 1-3 përballë Milanit, Thomas Strakosha pësoi dy gola në humbjen 1-2 të Lacios në fushën e Xhenoas, por gardiani shqiptar i portës sidoqoftë mori vlerësime për paraqitjen e tij. Ndërkaq, një tjetër shqiptar i Serisë A, Elseid Hysaj, ishte titullar në barazimin pa gola në shtëpi përballë Torinos.
Duke u ndëshkuar madje edhe me karton të verdhë 8 minuta para fundit të kohës së rregullt. Ky rezultat e lë Napolin edhe më prapa Juventusit kryesues, plot 13 pikë të shkëputur në garën për titull. Edhe Frederik Veseli mori vlerësim pozitiv në fitoren 3-0 të Empolit ndaj Sasuolos. Në duelin e parë midis shqiptarëve, të zhvilluar në Zvicër, Bazeli i Taulant Xhakës ka triumfuar me një gol të vetëm, të shënuar nga pika e bardhë, ndaj Sionit të Burim Kukelit dhe Ermir Lenjanit.
Një tjetër duel shqiptar ishte ai Azerbajxhanit, ku Karabaku i titullarit kuqezi, Ansi Agolli, mundi 2-1 Gabalanë e Sabien Lilajt, që u fut në fushë në minutën e 81-të.