AlbanianSport.com 18/02/2019 14:30
ASNN – Vllaznia me “5 yje” ndaj Kinostudios, në finale do të gjejë Apoloninë. Të dielën u luajtën ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në futbollin e femrave, ku dy finalistët do të jenë Vllaznia e Shkodrës dhe Apolonia e Fierit. Kjo e fundit mundi Tiranën me rezultatin 2-1, duke prodhuar një të papritur në këtë fazë, sepse Tirana konsiderohej favorite.
Ndeshja ishte e bukur dhe me rivalitet, ku fieraket shënojnë të parat me anë të Hamonikajt në minutën e 17-të. Tirana reagon në momentin e duhur dhe në mënyrën e duhur, duke barazuar shifrat në minutën e 34-t, me 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol Begallo. Por në fund të pjesës së parë do të vinte ndëshkimi për vajzat bardheblu, pasi Kostaj do të shënonte golin e dytë dhe të fitores për Apoloninë.
Në pjesën e dytë nuk pati më ndryshim rezultati dhe Apolonia mundi Tiranën 2-1, duke siguruar finalen e Kupës. Ndërkohë, ndeshja tjetër gjysmëfinale, ajo midis Kinostudios dhe Vllaznisë, luajtur në Kamzë, nuk pati histori, sepse vajzat shkodrane e dominuan dhe e fituan me meritë dhe thellë ndeshjen me shifrat 5-0. Dy gola u shënuan në pjesën e parë, nga Djegsina në minutën e 15-të dhe nga Popovic në minutën e 22-të.
Kurse në pjesën e dytë shënoi Gjini në minutën e 68-të, Franja në minutën ne 72-të, ndërsa vulosi fitoren e përhershmja dhe sportistja më e mirë femër e futbollit shqiptar për vitin 2018, Megi Doçi, e cila realizoi me 11-metërsh, në minutën e 77-të. Për pasojë, në finale do të kemi duelin Vllaznia-Apolonia, një ndeshje që do të luhet ditën e mërkurë. Padyshim që Vllaznia është favorite, nisur jo vetëm nga cilësia e lojtareve, por edhe nga përvoja që ka krijuar në futbollin e femrave gjatë këtyre viteve.