AlbanianSport.com 18/02/2019 12:40
ASNN – Gentian Stojku do të jetë trajneri i ri i Kamzës për pjesën e mbetur të sezonit. Emërimi ka ndodhur pikërisht sot, por pritet të zyrtarizohet në orët në vijim. Ai do të pasojë në detyrë në krye të stolit të Kamzës ish-trajnerin, Ernest Gjoka, i cili dha dorëheqjen të dielën pasdite, fill pas ndeshjes së humbur 0-1 me Kastriotin, duke adresuar gishtin tek problemet e brendshme të skuadrës.
Por edhe problemeve që sipas tij duhet t’i zgjidhin drejtuesit, sepse, siç tha vetë Gjoka, ishte e pamundur të drejtoje një skuadër të pamotivuar. Kamza po kalon një moment të vështirë dhe ndodhet në vend të fundit, me 16 pikë, në pozita aspak të favorshme dhe në rrezik të rënies nga kategoria. Ekipi ka një formacion të mirë në aspektin e organikës.
Por Kamza është shoqëruar me krisje të brendshme si pasojë e një krize financiare të shpërfaqur dhe në media nga presidenti Naim Qarri, i cili ka pasur një ngërç të krijuar me kryebashkiakun e Kamzës Xhelal Mziu. Stojku ka drejtuar më parë Erzenin e Shijakut, në Kategorinë e Parë, ndërsa roli i trajnerit në Kategorinë Superiore është i pari për të.
Vendin e tij tek Erzeni e ka zënë menjëherë Gentian Begeja. Duhet të presim për të parë paraqitjen e skuadrës së Kamzës nën drejtimin e Stojkut, por sido që të punohet, Kamza duket se është e destinuar të luftojë deri në fund për mbijetesë dhe, në kushtet kur rivalët kanë nisur të shkëputen dhe ndodhen në pozita më të mira, ky objektiv bëhet mjaft i vështirë.