AlbanianSport.com 18/02/2019 10:50
ASNN – Mbrojtësit Naser Aliji dhe Ermir Lenjani luajtën 90 minuta në fushë respektivisht për Dinamon e Bukureshtit dhe Sionin, por në të dy rastet lojtarët kuqezinj i humbën ndeshjet e tyre. Edhe Enea Mihaj luajti 90 minuta të dielën në kampionatin grek, ku skuadra e tij, Panetoilikos humbi ndaj Levadhiakosit 1-0 në Superligën Helene.
Natyrisht, spikati, për arsye të gabuara, në fakt, mesfushori veteran Migjen Basha, i cili luajti vetëm 11 minuta lojë me Arisin e Selanikut dhe në minutën e 11-të shkakton një ndërhyrje “horror”, që e vunë për keq në ballinat e lajmeve sportive në Greqi dhe më gjerë. Ai i ndërhyri shumë ashpër lojtarit serb Maksimoviç.
Një ndërhyrje tepër e rëndë, e cila detyroi gjyqtarin ta nxirrte Bashën menjëherë me karton të kuq, sepse futbollisti serb u detyrua të largohej me barelë nga fusha. Kjo ndeshje përfundoi në barazim 1-1. Vetë Basha, kujtoi pas ndeshjes se kjo nuk ishte natyra e tij dhe ai ishte futbollist mjaft i qetë dhe i pamundur për të bërë ndërhyrje të tilla, duke i kërkuar falje lojtarit serb dhe skuadrës së tij.