AlbanianSport.com 17/02/2019 23:15
ASNN – Pak ditë më parë kur ai u huazua nga Anderlehti në radhët e Osijekut në kampionatin koat, Kristal Abazaj deklaroi se Anderlehti belg do të pendohej që nuk i kishte besuar dhe Osijeku do të ishte skuadra ku ai do të shfaqte qëllimin e tij dhe potencën e tij si futbollist profesionist. Dhe duket se ka patur të drejtë. I mjaftuan 11 minuta në fushë që të tregonte vlerat e tij, duke shënuar gol dhe duke i dhënë 3-pikëshin skuadrës së tij.
Ishte një ndeshje ndërmjet Osijekut dhe Istra 1961, ku Kristal Abazaj e nisi nga stoli, në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 57-të, por mjaftuan vetëm pak minuta që talenti shqiptar të tregonte vlerat e tij teknike të shpërblyera me gol. Kështu, në minutën e 68-të, Abazaj shkëlqeu i gjithi, duke shënuar gol të cilin e festoi fort. Ishte goli i parë për të me fanellën e skuadrës së Osijekut dhe një nisje ëndrrash për ish-sulmuesin e Luftëtarit.
Anderlehtit i shkoi sinjali i parë që ka gabuar, por është vetëm fillimi. Ishte pikërisht ky gol i Abazajt që i shërbeu Osijekut për të marrë 3 pikë, sepse rezultati nuk ndryshoi deri në fund. “Ndihem mirë, i gëzuar natyrisht. Ky emocion më mungonte prej kohësh. Në fakt, nuk e prisja ta nisja kaq mirë dhe të shënoja që në debutim, por mirënjohja i shkon Zotit që deshi të shkojë kështu. Ndihem vërtet mirë dhe ishte nisja e duhur”, -theksoi për mediat shqiptare sulmuesi Kristal Abazaj.