AlbanianSport.com 17/02/2019 22:20
ASNN – Luiza Gega është një fenomen i atletikës shqiptare. Vetëmnjë ditë pas kishte siguruar medaljen e artë në displinën e 3 000 metrave në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura (indoor), duke u rikonfirmuar si kampione e Ballkanit, sot shtatvogla e atletikës shqiptare korri një tjetër sukses në një tjetër turne të zhvilluar në të njëjtën pistë, duke marrë medaljen e bronztë në garën e vrapimit të 1,500 metrave Kupën Ndërkombëtare të Stambollit.
Gega e mbylli këtë garë në vend të tretë, me kohën 4 minuta 09 sekonda e 50 të qindtat, një rezultat i mirë dhe një pozicion i mirë, në një veprimtari që shërben si test për garat e mëdha të vitit, sikurse është Kampionati Evropian që zhvillohet pas pak ditësh në Gllasgou të Skocisë. Medalja e bronztë për Gegën, e dyta personale brenda 24 orësh, dëshmojnë qëndrueshmërinë e sportistes në garat ndërkombëtare dhe një prodhim fantastik medaljesh për ngjyrat kuqezi.
Në garat e së dielës ishte në garën e 60 metrave edhe kampioni e rekordmeni shqiptar i 400 metrave, Franko Burraj, i cili regjistroi kohën 7 sekonda e 9 të qindtat, jo më e mira e tij, kurse atleti David Nikolli nuk e zhvilloi fare garën e tij në 3,000 metra, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Në përfundim të Kupës së Stambollit, Shqipëria e mbyll vizitën në Turqi me 4 medalje, një ari, një argjendi e dy bronzi, ku dy prej medaljeve i fitoi Luiza Gega ndërsa dy të tjerat Izmir Smajlaj (argjend në kërcimin së gjati) dhe Franko Burraj (bronz në 400 metra).
Këto rezultate janë një nisje e mirë para Kampionatit Evropian të Gllasgout, që zhvillohet nga 1 deri më 3 mars në Skoci.