Gjergj Vyshka 28/11/2014 15:20
Të mërkurën pasdite në Stadiumin “Selman Stërmasi” është organizuar finalja e Kupës “Coca-Cola”, e cila ka vënë përballë shkollën e fshatit Mëzez në Tiranë dhe atë “Ndre Mjeda” në Shkodër. Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo veprimtari, që është zhvilluar në periudhën tetor-nëntor, ka mbledhur mbi një mijë nxënës të moshës 12-15 vjeç të gjithë të ardhur nga shkollat 9-vjeçare.
Aktiviteti ka qenë në bashkëpunim të plotë mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa janë angazhuar shkollat e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Fierit dhe Shkodrës. Pas ndeshjeve gjysmëfinale, në finale janë përballur Mëzezi dhe Shkodra.
Në ceremoninë përmbyllëse të këtij aktiviteti kanë marrë pjesë zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj; drejtori i sporteve në këtë ministri, Vladimir Gjonaj; sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, si dhe përgjegjësi i zhvillimit të futbollit të fëmijëve, Millan Baçi. Kupën për fituesit e ka dorëzuar Eno Samarxhi, kurse Mëzezi është fituesi i Kupës “Koka-Kola” në edicionin e saj të parë në vendin tonë.