AlbanianSport.com 17/02/2019 15:55
ASNN – Partizani nuk e shfrytëzoi rastin për të bërë kapërcimin e madh në renditje që do ta afronte me trofeun e kampionatit. Të kuqtë nuk e shfrytëzuan si duhet disfatën e Kukësit të premten kundër Teutës, duke mos ia dalë të merrnin pikë përballë Laçit. Ndeshja ishte me probleme, pasi gjyqtarët akorduan një 11-metërsh në favor të kurbinasve, por ishte një vendim që u kontestua gjatë nga të kuqtë kryeqytetas. Ishte minuta e 13-të e ndeshjes e cila rezultoi vendimtare për rezultatin dhe fatin e këtij takimi.
Ishte një vendim i dyshimtë i gjyqtarisë, që buroi nga një ndërhyrje e gjyqtarit anësor Avdo, ndërsa ai kryesor, Klajdi Kola, edhe pse në dilemë, vendosi të akordojë 11-metërsh, pikërisht nga ndërhyrja e anësorit, megjithëse më parë kishte sinjalizuar për një ndërhyrje të parregullt. Si përfundim, 11-metërshit, dhe nga pika e bardhë Shtubina gjuan saktë tokazi dhe në këndin e poshtëm të krahut të majtë të portës së mbrojtur nga Alban Hoxha, duke shënuar për Laçin golin e parë e të vetëm të këtij takimi. Të dyja skuadrat në vijim patën rastet e tyre, e dëshiruan fort fitoren,
Sidomos Partizani që bëri volum të madh loje por nuk ia doli ta përmbysë rezultatin, e për pasojë e humbi këtë takim, i cili rezultoi me pikë të plota për kurbinasit. Këta të fundit treguan dhe një herë se janë kockë e fortë në garë, sidomos kur luajnë në fushën e tyre. Laçi me këtë trepikësh ngjitet sërish në vendin e 4-t, me 34 pikë, duke lënë pas Skënderbeun dhe Flamurtarin, që kanë nga 30 pikë. Sa i takon Partizanit, skuadra e Skënder Gegës pëson humbjen e parë pas tri fitoresh radhazi të këtij viti, duke mbetur në kuotën e 46 pikëve.
Plot 7 pikë më shumë se Teuta e vendit të dytë dhe 8 pikë më shumë se Kukësi i vendit të 3-të. Edhe pse kishte një mundës ta çonte në 10 pikë diferencën dhe ta vriste kampionatin, duket se humbja e sotme në Laç nuk e cënon rivalitetin dhe gara mbetet e hapur deri në fund. Në një kampionat ku ka shumë duele direkte dhe ku rivalët për titull kanë nga dy përplasje me njëri-tjetrin, atëherë me plot gojën mund të thuhet se gara për titullin është e hapur më shumë se kurrë.
Kategoria Superiore
Java e 22-të
Të premten, 15 shkurt 2019:
Teuta – Kukësi 2-1
Të dielën, 17 shkurt 2019:
Kamza – Kastrioti 0-1
Flamurtari – Skënderbeu 2-0
Tirana – Luftëtari 1-1
Laçi – Partizani 1-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 22 14 4 4 23-10 46
- Teuta 22 10 9 3 28-16 39
- Kukësi 22 11 5 6 21-13 38
- Laçi 22 9 7 6 18-17 34
- Skënderbeu 22 10 3 9 23-19 33
- Flamurtari 22 9 6 7 19-15 33
- Tirana 22 6 7 9 26-24 25
- Luftëtari 22 6 4 12 19-27 22
- Kastrioti 22 6 1 15 19-39 19
- Kamza 22 4 4 14 10-26 16