AlbanianSport.com 17/02/2019 13:10
ASNN – Izmir Smajlaj bën garë “për sport”, medalje argjendi dhe entuziazëm për sfidat e reja. Izmir Smajlaj nuk ka nevojë të konfirmohet në garat rajonale, pasi ai është fitues i titullit evropian dhe i ka kapërcyer 8 metrat si rezultat maksimal i tij (8.08 m rekordi i tij), por ambiciet i ka të shkojë në 8.20 metër ose 8.30 metër, që do ta fuste atë në zonën e medaljeve në kampionatin botëror. Padyshim, gara e kërcimit së gjati është një nga më të vështirat dhe nuk është e lehtë, plus që ka risk dëmtimi.
Por Izmir Smajlaj dhe trajneri Gjergj Ruli po mendojnë të kapin nivelin më të lartë gjatë këtij viti, për të siguruar një pjesëmarrje me rezultat po të lartë në Olimpiadën e Tokios së vitit të ardhshëm. Smajlaj pranoi pas garës dhe medaljes së argjendtë se nuk ishte në kapacitetin e tij maksimal për shkak të volumit të madh stërvitor që ka bërë gjatë kësaj periudhe, duke pranuar sidoqoftë se priste diçka më shumë nga gara e tij në Stamboll.
Megjithatë, Smajlaj kapi 7.70 metra në garën e kërcimit së gjati, një rezultat që për të është stërvitor, por duhet pranuar se vëmendja e sportistit dhe trajnerit të tij Gjergj Ruli janë në Evropianin e Gllasgout që nis në fundjavën e ardhshme. “Prisja një rezultat më të mirë nga kjo garë, – u shpreh Smajlaj pas garës, – por më duhet të pranoj se nuk isha në maksimumin tim. Përgatitjet që kemi bërë i kemi projektuar për Kampionatin Evropian të Gllasgout dhe Ballkaniada duhet parë si një test për mua.”
“Synimi im madhor është që të siguroj medalje në Evropian, megjithëse kjo është një veprimtari ku rivaliteti është shumë i madh”, – ka përfunduar atleti shkodran, Izmir Smajlaj.