AlbanianSport.com 16/02/2019 16:50
ASNN – 29-vjeçarja mbron me sukses kurorën e më të mirës së gadishullit në salla të mbyllura. Atletja shtatshkurtër, Luiza Gega, ka arritur të shtunën pasdite të shpallet kampione e Ballkanit në disiplinën 3,000 metrave. Ajo triumfoi në garën e zhvilluar në kuadër të Kampionatit Ballkanik të Atletikës të Sallave të Mbyllura, që u mbajtën në Turqi, në Stamboll.
Duhet theksuar se ky është i 6-ti titull i kampiones së Ballkanit për Luiza Gegën, e cila ka triumfuar 4 herë në garën e 1,500 metrave dhe dy herë në atë të 3,000 metrave. Luiza Gega ka konfirmuar edhe një herë se mbetet atletja shqiptare më në formë e momentit, duke triumfuar në garën e 3,000 metra dhe duke u shpallur kampione e Ballkanit në këtë disiplinë.
Atletja shtatshkurtër e ka arritur këtë të shtunën pasdite, në gara e zhvilluara në kuadër të Kampionatit Ballkanik të Atletikës të Sallave të Mbyllura, që u mbajtën në Turqi, në Stamboll. Në fakt, duke patur parasysh edhe nivelin e konkurrencës që ekzistonte në këtë garë, trajneri i saj, Taulant Stërmasi, pati paralajmëruar një triumf të atletes së tij, e cila, përtej një problemi të lehtë fizik, e ka dominuar që në fillim garën.
Duke krijuar menjëherë një hendek me 4 atletet e saj në këtë garë, një hendek që 29-vjeçarja vijoi ta thellonte me kalimin e xhirove. Në përfundim të 3,000 metrave, Gega ka mbërritur e shkëputur në finish, duke regjistruar kohën 8 minuta, 56 sekonda e 4 të qindtat. Atletja shqiptare la plot 20 sekonda e 52 të qindtat ndjekësen më të afërt, gjeorgjianen Veleria Zhandarova.
Kjo e fundit fitoi duelin për vendin e dytë dhe të 3-të me rumunen Klaudia Prisecaru. Dy atletet vendase, ishin akoma edhe më prapa. Duhet theksuar se niveli i dobët i kundërshtareve, por edhe probleme fizike e kanë penguar atleten shqiptare të thyejë rekordin e Ballkanit në këtë disiplinë, që mbahet po prej saj, me kohën 8 minuta, 55 sekonda e 22 të qindtat.