AlbanianSport.com 15/02/2019 10:45
ASNN – Karim Abdul-Xhabar, “Skyhook”-u historik i NBA-së. Arsyeja pse nuk është në majën e basketbollit botëror lidhet me Majkëll Xhordan. Basketbolli amerikan ka yjet e tij në çdo kohë. Padyshim, Majkëll Xhordan do të mbetet gjatë në kujtesën e brezave për shkak të cilësisë së tij dhe arritjeve të jashtëzakonshme, duke qenë një lojtar fenomenal i basketbollit botëror. Por deri në momentin kur Xhordan mori “me tapi” numrin 1 të koshit botëror, një tjetër basketbollist konsiderohej i pakapshëm dhe i paarritshëm. Ai ishte “qiellori” Karim Abdul-Xhabar (i lindur si Ferdinand Ljuis Alkindor Xhunior) më 16 prill 1947).
Ai ishte një lojtar profesionist basketbolli (tani natyrisht që është në pension), i cili ka luajtur 20 sezone në kampionatin amerikan për fanellën e Miluoki Baks dhe atë të Los Anxheles Lejkërsave. Gjatë karrierës së tij si qendër, Karim Abdul-Xhabari ishte një rekordmen më vet dhe fitues 6 herë i Çmimit të “Lojtarit më të Vlefshëm” në NBA. Për 19 vjet me radhë ka qenë i zgjedhur në ekipin e yjeve të NBA-së (“All Star”) dhe 11 herë si qendra më e mirë e NBA-së apo dhe në ekipin më të mirë të NBA-së. Në vitin 1996 ai u votua si një prej 50 basketbollistëve më të mëdhenj në historinë e basketbollit amerikan.
Trajneri Pat Rajli dhe lojtarët Ajsajah Tomas dhe Xhulius Iruing e kanë quajtur atë “lojtarin më të madh të basketbollit të të gjitha kohërave”. Në vitin 1968 ai pranoi fenë myslimane, por në publik si besimtar musliman i sektit “Suni” dhe me emrin Karim Abdul-Xhabar do të shfaqej haptazi në vitin 1971, kur ishte 24 vjeç. Pseudonimi i tij i përhershëm dhe i pashoq ishte “skyhook”, që mund të përkthehet edhe si “grepi qiellor”. Nga viti 1975, ku la Miluokin, Abdul-Xhabari do të bëhej pjesë e Lejkërsave dhe do të luante për ta 14 sezone, deri në vitin 1989, kur u tërhoq nga basketbolli, në moshën 42-vjeçare.
Nën udhëheqjen e Xhabarit, Lejkërsat shkuan në këtë periudhë 10 herë në finale të NBA-së. Ka një të dhënë mjaft domethënëse në karrierën e tij në momentin e tërheqjes nga basketbolli në vitin 1989. Në atë moment ai ishte basketbollisti numër 1 në botë i të gjitha kohërave. Ai ishte lider në pikët e shënuara (38,387), ndeshje të luajtura (1,560), minuta të luajtura (57,446), driblime në parket (15,837), tentativat në sulm (28,307 ), goditje të bllokuara (3,189), gjuajtje mbrojtëse (9,394), fitore në karrierë (1,074) dhe faulle personale (4,657). Ai mbetet lider i të gjitha kohërave në pikat e shënuara dhe fitoret në karrierë.
Në vitin 2007, “ESPN” e votoi atë si qendra më e madhe e të gjitha kohërave, në vitin 2008, ata e quajtën atë “lojtarin më të madh në historinë e basketbollit të kolegjit” dhe në 2016 ata e quajtën lojtarin e dytë më të mirë në historinë e NBA-së pas Majkëll Xhordan. Abdul-Xhabari ka qenë gjithashtu një aktor filmash, një trajner basketbolli dhe një autor mjaft i shitur. Në vitin 2012, ai u zgjodh nga Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton për të qenë ambasador i kulturës botërore në SHBA. Në vitin 2016, Presidenti Barak Obama i dha atij Medaljen Presidenciale të Lirisë. Së bashku me Mohamed Aliun, boksierin e madh amerikan, ishin veprimtarë të të drejtave të njeriut dhe filantropistë.
Ata mbështetën kauzën e njerëzve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për këtë fituan popullaritet të madh. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, Karim Abdul Xhabari ka qenë një nga lojtarët më të gjatë në historinë e NBA-së. Ishte i lartë 2 metra e 18 centimetra dhe peshonte vetëm 102 kg. Ka qenë një basketbollist mjaft i imët dhe mungesa e peshës e bënte atë të “fluturonte”, prandaj dhe nofkat me “qiellor….” i ka marrë ngaqë askush nuk mund ta bllokonte atë kur merrte vrull për të futur topin në kosh. Kjo e bënte atë shumë më efikas se Shejk O’Nil apo ndonjë tjetër që ishin shumë të gjatë.
Por që kishin peshë të madhe dhe nuk e kishin kërcimin e pazakontë të Abdul-Xhabar. Mungesën e forcës, Xhabari e kompensoi me lëvizje fine, me kërcime të shpejta dhe saktesi absolute, për të mos përmendur dhe shumë aspekte të tjera që ai i fitoi me kohën falë punës së tij të palodhshme e sistematike, si dhe metodat mjaft efikase të fitnesit. Karim Abdul Xhabari është i 8-ti basketbollist me saktësinë më të madhe në NBA. Në goditjet e gjuajtjeve të lira, ai ka pasur një saktësi prej 72%, rezultat shumë i mirë po të merret parasysh fakti se ishte mjaft i gjatë. Vitet e fundit të karrierës ai realizonte vetëm 8 topa të zotëruar në tabelë për ndeshje.
Por në kulmin e karrierës së tij nuk kishte ndeshje që të mos shkëlqente, sepse bllokimet në tabelë për të ishin art më vete. Ngritja lart e duarve të tij në kapjen e topit, falë krahëve të gjatë dhe shtatlartësisë së madhe, e bënin atë të dukej 50 cm mbi të tjerët dhe kjo ka qenë arsyeja që për të është thënë vazhdimisht se qëndronte në ajër. Lëvizja e topit nga njëra dorë në tjetrën gjatë kohës që ishte në ajër dhe pranë koshit, e bënte Karim Abdul Xhabar të pakapshëm e të pakrahasueshëm me lojtarët e tjerë të asaj periudhe. Më vonë stilet e tij i përvetësuan të tjerët, por Xhabari mban autorësinë e shumë lëvizjeve që për kohën ishin shpikje të vërteta dhe që vetëm një lojtar si ai mund t’i bënte.