AlbanianSport.com 14/02/2019 22:20
ASNN – Goli i Ben Jederit në pjesën e parë vulos fitoren e iberikëve, takimi erdhi direkt në RTSH. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka luajtur të enjten takimet e para të turit të 32-shes dhe Lacio-Sevilja ka qenë përballja më e spikatur e mbrëmjes. Kjo ndeshje, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, u fitua nga spanjollët me një gol të vetëm.
Në atë që ishte një nga takimet më të spikatura të ndeshjeve të para të turit të 16-shes të Ligës së Evropës, Sevilja ka marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer në Romë ndaj Lacios vendase, duke u larguar nga kryeqyteti italian me një gol të shënuar që në pjesën e parë. Në fakt pjesa e parë e sfidës së sjellë për sportdashësit nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka folur më tepër për miqtë.
Të cilët, edhe pse luanin në fushë të huaj, kanë qenë më agresivë dhe më kërkues në drejtim të portës kundërshtare. dhe, pas 22 minutash lojë, Sevilja do ta gjejë golin e epërsi, kur vendosja e gabuar e mbrojtjes së skuadrës italiane, do t’i japë mundër Ben Jederit të mposhtë nga fare afër gardianin shqiptar të portës së Lacios, Thomas Strakosha.
Goli e ka shtangur skuadrën italiane, por ajo do të reagojë gradualisht dhe në minutën e 27-të, Lacio është e pafat kur topi që po i drejtohej rrjetës, largohet në vijën fatale nga lojtarët spanjollë. Loja do të vijojë me Lacion që kërkon golin e barazimit dhe me miqtë që synojnë të rrezikojnë me anë të kundërsulmit dhe 7 minuta para fundit Sevilja thuajse gjen edhe golin e dytë, por mbrojta e Lacios arrin të largojë rrezikun.
Me epërsinë minimale të miqve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta, në shumicën e saj, u karakterizua nga një lojë e varfër dhe nën nivelin mesatar, me Lacion të paqartë në kërkim të golit dhe me Seviljen të kënaqur me administrimin e rezultatit dhe duke synuar të shfrytëzojë kryesisht kundërsulmin. Vetëm në 10-minutëshin e fundit loja do të gjallërohet, me italianët që rrezikojnë në dy raste portën e iberikëve, por dhe që rrezikojnë të ndëshkohen në fund.
Megjithatë, mbyllet me fitoren minimale të Seviljes kjo përballje në fushën e Lacios, ndërsa ndeshjet e kthimit luhet pas një javë.