AlbanianSport.com 14/02/2019 14:50
ASNN – Ngjan me Balotelin, sjellja po i shkatërron karrierën “Mr. 49-milionë-Euroshit” Donis Avdijaj. Pak vite më parë ai ishte pjesë e Shalke 04-s në kampionatin gjerman dhe klubi i njohur i Bundesligës i kishte vënë një klauzolë kartoni prej 49 milionë eurosh, për të kujtuar talentin e tij të padiskutuar dhe një fenomen në rritje. Futbollisti shqiptar ishte në fokusin e klubeve më të mëdha të kontinentit që po e ndiqnin atë. Por, kur kanë kaluar vetëm 3 vite, asnjë klub evropian nuk e do Donis Avdijajn në radhët e tij.
Shkak nuk është cilësia sportive, por sjellja e tij. Të gjithë thonë se ngjan me Mario Balotelin, i cili bën gabime edhe atëherë kur nuk duhet, bën sjellje të papërshtatshme edhe kur s’ka arsye dhe është vazhdimisht në faqet e para të gazetave për shkak të skandaleve të tij në jetën e natës, sjelljen me shokët, stërvitjen e cunguar etj. I tillë është dhe Donis Avdijaj, i cili për shkak të sjelljeve të ashpra në grup është larguar nga skuadra e Vilhelmit të dytë në Holandë.
Nuk ka asnjë arsyetim tjetër për këtë situatë të koklavitur të tij në raport me klubet. Pak javë më parë ai theu me dy shokë skuadre rregullat e klubit, duke dalë nga banesa dhe nuk është ndalur me kaq. Ka përfunduar në klube nate dhe ka shkaktuar sherre, diçka e papranueshme për klubet profesioniste. Së fundmi mësohet se Donis Avdijaj, i cili ka zgjedhur të luajë për përfaqësuesen e Kosovës (më herët ishte në fokusin e Shqipërisë dhe ai kishte pranuar kuqezinjtë fillimisht), tani është në negociata me klubin e Lucernës në Zvicër.
Palët po përpiqen të gjejnë një kompromis për përfshirjen e Avdijajt në skuadër, megjithëse sjellja e tij po i bëhet pengesë. Cilësia e lojtarit nuk vihet në diskutim, por karakteri i tij “shqiptar” tejkalon normat profesioniste që kanë klubet në Perëndim. Dhe sjellja po i shkatërron karrierën njërit prej talenteve më të mëdha shqiptar.