AlbanianSport.com 13/02/2019 15:15
ASNN – Në Bundesligën 2 të Gjermanisë, skuadra e Ingolshtadtit ka marrë 6 pikë në tri ndeshje të luajtura. Pra dy fitore e një humbje, që janë rezultat mjaft i mirë për një ekip që e kishte mbyllur pjesën e parë të sezonit në vend të fundit me 10 pikë. Me një ecuri të tillë Ingolshtadti po bën përpara dhe ka shpresë të mbijetojë. Mjafton të ruhet ky ritëm dhe skuadra është në rrugën e mbarë ta realizojë objektivin e saj. Sipas mediave gjermane, peshë në këtë sukses ka pa diskutim Mërgim Mavraj, i cili i pozicionuar në qendër të repartit mbrojtës nuk lë të kalojë as mizën e jo më sulmuesit kundërshtarë.
Edhe pse krahasimi duket vulgar, për mediat gjermane shpirti i liderit që ka Mavraj ka ndikuar në rritjen e cilësisë së lojës në prapavijë dhe është fakt se me ardhjen e Mavrajt Ingolshtadti pëson fare pak dhe shënon mjaftueshëm për të marrë maksimumin. Së fundmi skuadra e Mavrajt mundi Erzgebirge Auen (0-3) dhe shqiptari tregoi se është i pakalueshëm si qendërmbrojtës. Në analizën që kanë bërë mediat gjermane, evidentohet fakti se me Mavrajn në fushë skuadra luan më e sigurt në mbrojtje dhe di të veprojë me racionalitet ndaj kundërshtarëve.
Vetë Mavraj shihet si shpëtimtar në dy aspekte. Së pari në aspektin tekniko-taktik pasi pozicionohet mirë dhe ndihmon mjaftueshëm, ndërsa aspekti i dytë është i karakterit psikologjik, sepse përvoja që ka futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë bën diferencë. Në të njëjtën kohë, Mavraj ka shpirt të lartë gare dhe moral të madh në frymën e grupit, dëshmuar me qëndrueshmëri dhe faktin se lojtarët e dëgjojnë. Edhe pse mbetet ndër vendet e fundit (aktualisht në vend të parafundit, atë të 17-të, me 16 pikë), duhet thënë se kapërcimi në 3 ndeshjet e fundit është mjaft i mirë.
Dhe me kaq pikë në renditje janë 3 skuadra. Ajo që është jashtë rrezikut për momentin (Magdeburg) ndodhet në kuotën e 18 pikëve ndërsa skuadrat që synon të rivalizojë Ingolshtadti janë në kuotën e 22 pikëve. Por ritmi i javëve të fundit i jep shpresë skuadrës së Mavrajt se mund të mbijetojë në Bundesligën e dytë gjermane dhe 6 pikët diferencë me skuadrat që nuk rrezikojnë nuk është shumë i madh.