AlbanianSport.com 13/02/2019 12:30
ASNN – Në basketbollin e meshkujve rivaliteti është shumë i fortë dhe skuadrat janë duke menduar të bëjnë më të mirën në këtë pjesë të dytë të garës për të rritur pretendimet e tyre për titullin. Natyrisht, në këtë konkurrencë të fortë bën pjesë edhe klubi privat i Durrësit, Goga Basket, i cili ndodhet aktualisht në vend të parë në Superligën e Meshkujve me 20 pikë.
Por rivaliteti nga Teuta dhe Partizani, por edhe Tirana me të cilën do të përballet këtë fundjavë, është shumë i madh dhe Goga ka menduar të bëjë lëvizjet e veta për të rritur “kredencialet” në këtë fazë vendimtare të sezonit. Kështu, klubi e ka nisur nga stoli, duke i dhënë besim trajnerit të ri Melzin Lazimi, i cili nuk do të ketë më një detyrë të përkohshme, por shihet si një zgjidhje afatgjatë.
Pra do të vijojë të jetë trajneri i Goga Basketit deri në fund të sezonit. Ndihmës i tij do të jetë Jani Noti, një tjetër emër i spikatur në stolin e Gogës. Largimi i Nikola Milatoviçit solli emërimin e Lazimit dhe testi i parë i kaluar me sukses në Shkodër ndaj Vllaznisë i ka bindur drejtuesit që të mbajnë në krye të skuadrës deri në fund të kampionatit pikërisht Lazimin.
Ndryshimi tjetër në radhët e skuadrës është largimi i Heron Faslijës dhe zëvendësimi i tij me amerikanin Aron Mos, lojtar 1.85 i gjatë, me përvojë në disa vende dhe së fundmi kishte luajtur në kampionatin rumun. Akademia private e basketbollit, Goga Basket, njoftoi dhe për ndryshimet e tjera të bëra në krye të skuadrave të moshave, si për Nën-18-vjeçarët meshkuj, ashtu dhe për skuadrën e vajzave të Nën-16-vjeçareve.