AlbanianSport.com 13/02/2019 07:55
ASNN – Mbrojtësi nga Kosova i përfaqësueses së Shqipërisë, Ardian Ismajli, është në “radarët” e klubit të Shahtjorit të Donjeckut në Ukrainë. Mediat sportive shqiptare në Internet shkruajnë se në stadiumin e Hajdukut të Splitit kanë qenë duke e ndjekur shtatlartin shqiptar menaxherët e klubit të shquar ukrainas dhe nuk përjashtohet që në verë Ismajli të kalojë në kampionatin elitar ukrainas.
Edhe pse nuk jepen detaje në lidhje me bisedimet apo qëndrimin e sportistit për këto interesime, duket qartë se në ndeshjen midis Hajdukut të Spolitit dhe Lokomotivës së Zagrebit, e cila përfundoi 2-1 dhe ku nga një gol realizuan Ismajli dhe lojtari tjetër kuqezi, Myrto Uzuni, kanë qenë në shkallët e stadiumit pikërisht agjentët e klubit ukrainas.
Ata kanë mbajtur shënime dhe me siguri që priten surpriza në ditët në vijim. Ndërkohë, për Ismajlin kanë shprehur interesim edhe disa klube të tjera evropiane, kryesisht italiane, por lojtari nuk ka preferuar t’i bëjë të ditur emrat e tyre. Për momentin ai thotë se ndihet mirë me Hajdukun në kampionatin kroat.
Për më tepër, ai i është gëzuar golit të fundit që shënoi kundër Lokomotivës së Uzunit dhe shpreson të ketë më shumë sukses në aspektin personal. Ai është në formë dhe me siguri që është në vëmendjen e trajnerit të Kombëtares kuqezi, Kristian Panuçi për ndeshjet e radhës.