AlbanianSport.com 12/02/2019 19:50
ASNN – Kristal Abazaj kaloi me shumë bujë verën e kaluar nga skuadra e Luftëtarit tek Anderlehti në Belgjikë, por futbollisti shqiptar nuk la gjurmë në kampionatin elitar belg dhe luajti shumë pak minuta, duke arritur deri aty sa ta çojnë shpesh të stërvitet me ekipin e të rinjve. U bë përpjekje që të kalonte fillimisht i huazuar në kampionatin belg tek ndonjë klub tjetër, por nuk u realizua, ndërsa së fundmi mësohet zyrtarisht se Abazaj ka kaluar në kampionatin kroat, tek Osijeku, ish-skuadra e Eros Grezdës.
Lajmi tashmë është bërë zyrtar dhe e ka konfirmuar në faqen e tij vetë klubi i Anderlehtit, i cili saktëson se Kristal Abazaj është huazuar tek Osijeku në ligën e parë të Kroacisë. Huazimi është bërë për një vit, me të drejtë blerjeje përfundimtare nga klubi kroat. E vërteta ëstë se Osijeku ka një përvojë të mirë me futbollistët shqiptarë dhe beson se mund ta shesë Abazajn, pasi ta blejë përfundimisht atë në vitin 2020, në ndonjë klub tjetër evropian për një shumë disa herë më të madhe.
Ashtu sikurse bëri edhe me Eros Grezdën. Huazimi i Abazajt ishte i pashmangshëm, për shkak se Anderlehti nuk i garantonte asnjë aktivizim me ekipin e parë. Për lojtarin shqiptar gjërat nuk shkuan aspak ashtu siç ai e dëshironte dhe huazimi erdhi me mirëkuptimin e palëve. Duke parë qëndrimin e vazhdueshëm në stol e tribuna, lojtari vendosi që të provojë një eksperiencë të re, por duket se i kënaqur ka mbetur dhe vetë klubi belg i Anderlehtit.