AlbanianSport.com 12/02/2019 12:30
ASNN – Trajneri, Turqia shkarkon Luçeskun para duelit me Shqipërinë, kthen atë që e çoi drejt vendit të 3-të në botë më 2002-shin. Turqia ka shkarkuar trajnerin e përfaqësueses së saj të futbollit, rumunin Mirçea Luçesku. Trajneri i njohur i shumë skuadrave nuk pati sukses në krye të përfaqësueses turke në 20 muajt e qëndrimit të tij, duke mos pasur rezultatet e pritshme për opinionin publik vendas.
Ishin pikërisht rezultatet e munguara që sollën shkarkimin e Luçeskut ndërsa mediat turke flasin për rikthimin në krye të ekipit të ish-trajnerit të Turqisë në vitin 2002, Senjol Gynesh. Ky i fundit pati mjaft sukses në Botërorin e Koresë dhe të Japonisë, pasi e çoi Turqinë deri në gjysmëfinale, ku u eliminua prej Brazilit, ndërkohë që fitoi me koreanët duelin për vendin e 3-të.
Deri më sot, ky është rezultati më i mirë i arritur nga përfaqësuesja turke në rang ndërkombëtar. Largimi i Luçeskut dhe mundësia e rikthimit të Gyneshit vjen në prag të startit të eliminatoreve të Kampionatit Evropian e në prag të duelit të parë në grup, atë të fundmarsit midis Shqipërisë dhe Turqisë. Federata turke ka pasur qëllim të bëjë ndryshime për të sjellë një frymë të re në stol dhe besohet se Gynesh mund të jetë më i miri për pozitat aktuale të skuadrës.