AlbanianSport.com 12/02/2019 10:40
ASNN – Në Spanjë vihen të gjithë në mbrojtje të Keidi Bares, kartoni i kuq një njollë e zezë për gjyqtarët. Mesfushori i Kombëtares kuqezi, Keidi Bare, po bënte një superndeshje deri në minutën e 59-të të takimit midis Albesetes dhe Las Palmasit, ndeshje e fituar nga skuadra e sulmuesit shqiptar 2-0. Në këtë takim Bare luajti shumë mirë, madje shënoi dhe një gol, të mohuar padrejtësisht, si dhe dha një pasim për një tjetër gol të mohuar në mënyrë po të padrejtë.
Kanë qenë këto vogëlsira në dukje që kanë bërë që mediat spanjolle të rreshtohen në krah të mesfushorit shqiptar, i cili në këtë ndeshje mori dy kartonë të verdhë, njërin prej të cilëve pse lëvizi topin nga vendi në një moment që gjyqtari nuk kishte arsye të jepte karton dhe për këtë arsye mediat sportive në Spanjë e kanë quajtur gjyqtarin e takimit një njollë të zezë për gjykimin në kampionatin spanjoll.
Një prej gazetave më të mëdha në Spanjë, “AS”, në rreshtat e saj shkruan në favor të mesfushorit shqiptar. “I anulohet një gol për pozicion të dyshimtë, por nga përsëritja e pamjeve u pa qartë se ishte gol i rregullt. Ai ishte i palodhur në fushë dhe realisht e mbajti mirë ritmin e tij, ndërsa dalja me karton të kuq nga kjo ndeshje ishte tërësisht e ekzagjeruar e pa kurrfarë baze në logjikën e gjyqtarit”, – shkruan gazeta e madhe spanjolle.