AlbanianSport.com 28/11/2014 10:50
Pas fitores me Delvinën, Turbina ndodhet në vendin e parë të Grupit të Jugut, teksa është në pikë të barabarta me Gramshin. Tashmë ekipi është kthyer normalisht në seancën stërvitore dhe parësore do të jetë rikuperimi në pozicionet e fushës, atje ku dhe po has më shumë vështirësi. Cërrikasit investuan mjaftueshëm këtë sezon në çdo repart për të arritur nivelin cilësor të skuadrës.
Trajneri Engjëll Belshi është shprehur më parë se çdo ndeshje, që do të zhvillojë ekipi i tij, do të cilësohet si një finale dhe të tilla kanë qenë deri tani. Pavarësisht se kanë marrë disa rezultate jo pozitive, të cilat kanë ardhur, sipas tij, edhe si pasojë e gjykimeve të njëanshme. “Probleme ekipi duket se po has në fazën sulmuese, atje ku po shpërdorohen disa raste të pastra”, – ka deklaruar trajneri cërrikas.
“E ajo që duhet të bëjmë tani është t’i forcojmë edhe këto reparte, – ka vijuar Belshi. – Ne kemi komponentë të mirë në sulm, lojtarë me cilësi mjaft të mira. Por duhet të punojmë më shumë me harmonizimin mes tyre për ta zgjidhur ndeshjen sa më shpejt e sa më thjesht. Sa u përket reparteve të tjera janë në formë të mirë, por ka vende për përmirësim.”
“Turbina ka objektiv ngritjen në Kategorinë e Parë këtë sezon dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Kampionati është i gjatë dhe duhet të jemi me këmbë në tokë dhe pas çdo ndeshje do të analizojmë gabimet tona”, – ka përfunduar trajneri i skuadrës cërrikase, Ëngjëll Belshi.