AlbanianSport.com 11/02/2019 21:10
ASNN – Skënderbeu gjen fitores pas 3 muajsh, vjen 3-pikëshi që çliron korçarët nga kriza. Skënderbeu bën “çudinë”, më në fund, dhe pas 6 disfatash radhazi në Kategorinë Superiore, gjen 3-pikëshin e parë i cili vjen pas 3 muajsh. Skuadra korçare kishte kaluar gjatë kësaj periudhe një makth, pa e kuptuar se nga i vinte dobësia, por duke kuptuar rënien e pashmangshme dhe duke mos qenë e aftë të ndalonte këtë pikiatë tronditëse për skuadrën që kishte dominuar kampionatin shqiptar prej 8 vjetësh.
Në kuadër të javës së 21-të të Kategorisë Superiore, që korrespondonte me duelin e fundit të kësaj jave, Skënderbeu mundi Laçin me rezultatin 2-1. Situata ishte e vështirë për të dy kampet, por këtë herë Skënderbeu nuk zhgënjeu. Fytyra e qeshur e Orges Sherhit në fund të takimit dhe deklarata e tij se kishin harruar shijen e fitores, tregon qartë se në çfarë kolapsi kishte mbërritur ekipi bardhekuq. Në ndeshjen e së hënës, Skënderbeu nuk i la asgjë rastësisë.
Po ashtu, ishte skuadër krejt tjetër nga ajo që kemi parë për javë të tëra. Këtë herë pati mobilizim dhe natyrisht erdhi edhe rezultati i duhur. Kuptohet, Laçi nuk ishte në kapacitetin e tij maksimal dhe këtë situatë të vështirë të kurbinasve ka prej ditësh që e “qan” trajneri Besnik Prenga, i cili ka mungesë futbollistësh cilësorë. Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0 dhe të gjithë kishin frikë se Skënderbeu po përsëriste të njëjtën situatë.
Madje nuk ishin të paktë ata që kishin hamendësuar edhe një fitore të kurbinasve nisur nga “mendja e lehtë” që i kishte futur Skënderbeu në 3 muajt e fundit. Por në pjesën e dytë situata ndryshoi tërësisht. Skënderbeu këmbënguli fort dhe e kërkoi medoemos fitoren, e në fund ia doli. Për korçarët golin e parë e shënoi Blerim Krasniqi, në minutën e 55-të dhe për ta konsoliduar fitoren mendoi kroati Pervan që realizoi me 11-metërsh në minutën e 76-të.
Pra bardhekuqtë i dhanë drejtim fitores dhe e mbrojtën me kujdes lojën e rezultatin deri në fund, megjithëse Laçi e gjeti golin e nderit, me anë të portierit Gentian Selmani që shënoi me 11-metërsh në minutën e fundit të takimit, por për kurbinasit nuk kishte më kohë të bënin më shumë. Pas kësaj ndeshjeje, Skënderbeu ia merr vendin e 4-t Laçit, pasi shkon në 33 pikë, ndërsa kurbinasit zbresin në vend të 5-të me 31 pikë, duke ndjerë nga pas rrezikun e Flamurtarit që ka 30 pikë.
Pse jo dhe Tiranës që ka 24 pikë dhe po afrohet sepse po kalon një moment mjaft të mirë. Kuptohet, fituesi më i madh i javës së 21-të të Kategorisë Superiore ishte Partizani, i cili, në kushtet kur rivalët kryesorë, Kukësi dhe Teuta, zhgënjyen, me 3-pikëshin që i mori Kastriotit u distancua ndjeshëm në kryesim, duke qenë 8 pikë para kukësianëve të vendit të dytë.
Kategoria Superiore
Java e 21-të
Të shtunën, 9 shkurt 2019:
Partizani – Kastrioti 2-0
Të dielën, 10 shkurt 2019:
Kukësi – Tirana 0-1
Luftëtari – Flamurtari 0-0
Teuta – Kamza 0-0
Të hënën, 11 shkurt 2019:
Skënderbeu – Laçi 2-1
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 21 14 4 3 23-9 46
- Kukësi 21 11 5 5 20-11 38
- Teuta 21 9 9 3 26-15 36
- Skënderbeu 21 10 3 8 23-17 33
- Laçi 21 8 7 6 17-17 31
- Flamurtari 21 8 6 7 17-15 30
- Tirana 21 6 6 9 25-23 24
- Luftëtari 21 6 3 12 18-26 21
- Kamza 21 4 4 13 10-25 16
- Kastrioti 21 5 1 15 18-39 16