AlbanianSport.com 10/02/2019 23:55
ASNN – në Kroaci pati sot një duel shqiptarësh, sepse u përplas Hajduku i Splitit me Lokomotivën e Zagrebit, ku kuqezinjtë bënë paraqitje vërtet më të mirë. Natyrisht, vëmendja ishte tek sulmuesi i krahut Myrto Uzuni, i cili dhe një herë tjetër nuk zhgënjeu, duke realizuar golin e vetëm për Lokomotivën, por në krahun tjetër, Ardijan Ismajli shënoi gol dhe siguroi fitore për ekipin e tij të Hajdukut.
Ndeshjen e fitoi skuadra e njohur kroate e Splitit me rezultatin 2-1. Ishte pikërisht Ismajli që shënoi në minutën e 41-të, një gol me vlera për ekipin e tij. Myrto Uzuni iu kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë, duke realizuar golin e barazimit për Lokomotivën e Zagrebit në minutën e 53-të. Por kroatët e Hajdukut do të shënonin sërish në minutën e 63-të, duke e fituar ndeshjen 2-1. Uzuni doli i humbur, por të paktën ngushëllohet me faktin se realizoi golin e nderit për skuadrën e tij.
Theksojmë se të dy lojtarët janë pjesë e përfaqësueses së Shqipërisë dhe forma e tyre e mirë mund të jetë sinjal i fortë për trajnerin Kristian Panuçi në prag të dueleve eliminatore për Euro 2020. Uzuni po kalon një formë të shkëlqyer dhe goli i sotëm ishte i 6-ti për të në kampionatin kroat të këtij sezoni. Javët e fundit ka qenë në formë të shkëlqyer dhe shënon rregullisht dhe bën paraqitje vërtet të mira, duke bindur që jo vetëm të marrë ftesë në përfaqësuese.
Por të jetë kandidat kryesor për sulmues i krahut të djathtë. Ndërkaq, duhet theksuar se në ndeshjen e së dielës ka luajtur si titullar për 72 minuta edhe futbollisti tjetër shqiptar, Françesko Tahiraj, i cili u zhvendos nga kampionati slloven, në atë kroat gjatë merkato së dimrit. Ndërkaq, në krahun tjetër, ka luajtur për 54 minuta si titullar për Lokomotivën e Zagrebit edhe futbollisti tjetër shqiptar, Lirim Kastrati.