AlbanianSport.com 09/02/2019 16:00
ASNN – Java e 21-të e Kategorisë Superiore do të nisë këtë të shtunë me ndeshjen Partizani-Kastrioti, një duel mes skuadrash që kanë objektiva të kundërt në garë, por të motivuara në maksimum për të marrë maksimumin nga kjo përballje që do të gtjotë shumë për vazhdimësinë e garës. Pak ditë më parë të dyja këto skuadra u përballën në Kupën e Shqipërisë, ku u kualifikuan të kuqtë dhe u eliminuan krutanët.
Këta të fundit premtojnë të marrin hak në kampionat dhe këtë e ka paralajmëruar trajneri Bledar Devolli, prandaj dueli i së shtunës pritet të jetë “flakë” në Stadiumin “Selman Stërmasi”. Natyrisht, Partizani i vendit të parë është favorit, pavarësisht se përballë ka një skuadër që ka surprizuar në dy ndeshjet e fundit, sepse Kastrioti ka marrë 6 pikë, me 7 gola të shënuar e 1 të pësuar.
Ndërkohë, të dielën do të luhen katër ndeshje, ku padyshim kryetakimi do të jetë ai midis Kukësit dhe Tiranës. Siç dihet, skuadra verilindore nuk ka stadium dhe me të gjitha gjasat do ta zhvillojë përballjen e vet me bardheblutë në Kamzë. Kjo ndeshje pritet të jetë “zjarr”, madje për Kukësin do të jetë prova më e madhe pas merkatos së dimrit për të parë se në çfarë gjendje e ka grupin.
Kjo dhe për faktin se Tirana po përmirësohet në lojën e saj dhe javë pas jave po tregon se është një skuadër që mund të rivalizojë me ekipet e kreut. Është fakt që Tirana, për kualitetin që ka dhe për staturën e vet si klub duhej të ishte këtë sezon më lart në renditje. Kukësit i duhet medoemos fitorja që të ruajë ritmin me Partizanin kryesues, ndërsa Tirana do 3-pikëshin për t’i ikur një herë e mirë fundit.
Gjithçka e hapur në këtë duel, pavarësisht se Kukësi ndodhet në vend të dytë me 38 ikë, kurse Tirana në vend të 7-të me 21 pikë. Një ndeshje që mund të llogaritet si “tym” për këtë javë është ajo që luhet në Gjirokastër midis Luftëtarit dhe Flamurtarit. Derbi i Labërisë pritet të jetë i ndezur për shumë arsye, por kryesorja sepse të dyja skuadrave u duhen me patjetër pikët maksimale.
Në këtë logjikë, barazimi nuk bën punë, kështu që, si për Flamurtarin, ashtu dhe për Luftëtarin, do të ketë duel për tri pikët. “Kompromisi” i nxjerr të humbur, prandaj pritet një ndeshje e ndezur në Gjirokastër. Dy takimet e tjera të kësaj jave janë Teuta-Kamza dhe Skënderbeu-Laçi. Sa u përket durrsakëve, atyre u duhet medoemos fitorja sepse vijnë pas dy barazimesh të diskutueshme.
Dhe në kampin e “djemve të detit” ka nisur të flitet për një krizë që nuk ka shenja të mira. Kështu që për trajnerin Bledi Shkëmbi ky është momenti i duhur për të bërë kthesën dhe për të siguruar fitoren e parë për vitin 2019. Fitoren dëshiron edhe Kamza, e cila vjen nga një krizë e brendshme me pasoja. Një humbje do të “vriste” objektivin e kamzalinjve, prandaj trajneri Ernest Gjoka do të luajë të dielën gjithçka për gjithçka.
Sa i takon ndeshjes së Korçës, Skënderbeu përplaset me miken e tij, skuadrën e Laçit. Dihet prej disa vitesh “simpatia” e këtyre skuadrave për njëra-tjetrën. Por kjo s’do të thotë se barazimi u vlen të dyjave. Sidomos për Sklënderbeun duhet fitorja, sepse ka 6 ndeshje që nuk fiton, vetëm humbje, prandaj ky është momenti i duhur për ekipin e Orges Shehit të bëjë kthesën e duhur.
Në të kundërt, ka gjasë që kampionët të zhyten në një krizë mjaft të thellë e të bien në zonën e rrezikshme të mbijetesës.
Kategoria Superiore
Java e 21-të
Të shtunën, 9 shkurt 2019:
Partizani – Kastrioti (17:00)
Të dielën, 10 shkurt 2019:
Kukësi – Tirana (14:00)
Luftëtari – Flamurtari (14:00)
Teuta – Kamza (17:00)
Skënderbeu – Laçi (18:00)