AlbanianSport.com 08/02/2019 23:55
ASNN – Tirana në basketboll për meshkuj e nisi mbarë vitin 2019, duke korrur një fitore domethënëse në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar, në Superligë, pasi mundi Kamzën me rezultatin e thellë 89-59. Ishte një ndeshje e dominuar nga fillimi në fund prej bardhebluve, që jo vetëm nuk e vunë në diskutim fitoren, por njëherësh arritën të merrnin një rezultat të thellë me 30 pikë diferencë.
10-minutëshi i parë dhe i dytë përfundojnë me të njëjtat shifra: 25-15. Kjo do të thotë se Tirana shkoi në pushimin e ndeshjes me 20 pikë diferencë, sepse tabela fiksoi shifrat 50-30. Në 10-minutëshin e 3-të Kamza e përmirësoi disi lojën e saj dhe fitoi këtë periodë me shifrat 21-19, por pa mundur të bëjë diferencën e duhur që të futet si rivale për rezultatin përfundimtar
Madje Tirana e rriti ndjeshëm dozën e forcës sulmuese në 10-minutëshin e katërt dhe të fundit, duke e fituar atë me shifrat 20-8 dhe krejt ndeshjen 89-59. Një fitore e merituar dhe që e ndihmon Tiranën t’i largohet ndjeshëm Kamzës, e cila pati rastin ta barazojë me pikë ekipin bardheblu por nuk ia doli. Për pasojë kjo fitore e konsolidon Tiranën në 4-shen e parë, pozicion që vlen për “play-off”-in në fund të sezonit.
Ndërkohë, të shtunën do të luhen një tjetër ndeshje e Superligës së meshkujve, në orën 18:00, midis Vllaznisë dhe Goga Basket, një ndeshje domethënëse për të dyja skuadrat, të cilat do të provojnë blerjet e reja dimërore dhe njëherësh të testojnë forcat e tyre pas fazës përgatitore të kësaj periudhe. Ndeshja e fundit e kësaj jave luhet të dielën midis Partizanit dhe Teutës.
Një superndeshje kjo, gjithashtu me peshë për fatet e renditjes. Kjo ndeshje do të zhvillohet në orën 18:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Të premten:
Tirana – Kamza 89-59
(25-15, 25-15, 19-21, 20-8)
Të shtunën:
Vllaznia – Goga Basket (18:00)
Të dielën:
Partizani – Teuta (18:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 10 8 2 18
- Teuta 10 7 3 17
- Partizani 10 7 3 17
- Tirana 11 5 6 16
- Kamza 11 3 8 14
- Vllaznia 10 1 9 11