AlbanianSport.com 08/02/2019 20:15
ASNN – Dy gola në kupën turke, Cikalleshi “mesazh” të fortë Kristian Panuçit. Pas ndeshjes kavajasi i Kombëtares kuqezi u shpreh i lumtur për paraqitjen dhe golat me peshë, duke thënë se tani është në rrugën e duhur. Në të njëjtën kohë, trajneri Kristian Panuçi duhet ta ketë marrë “mesazhin” pas këtyre golave se në duelin e radhës në fund të marsit ndaj Turqisë, mund të besojë tek aftësitë e shtatlartit kuqezi.
Që prej kalimit nga Gëztepe në radhët e Akhisarsporit, futbollisti i Kombëtares kuqezi, Sokol Cikalleshi, luan titullar dhe po shënon gola, duke marrë prioritet jo vetëm në radhët e klubit të tij, por njëherësh duke i çuar “mesazhe” të forta trajnerit të Kombëtares Kristian Panuçi, për gjendjen e tij dhe mundësinë që të jetë sulmues i parë në duelin e parë në eliminatoret e Evropianit, atë ndaj Turqisë.
Natyrisht, kjo formë e mirë e sulmeusit kavajas vjen nga përgatitja e tij sistematike dhe puna e mirë që po bën me skuadrën e Akhisarsporit si në kampionat ashtu dhe në Kupën e Turqisë. Dje ai ishte protagonist kryesor në fitoren e skuadrës së tij Akhisarspor ndaj Kasëmpashasë, me rezultatin 3-1, ku dy nga 3 golat e fitores i shënoi pikërisht Sokol Cikalleshi.
“Bomberi” kuqezi realizoi i pari në minutën e 41-të, kurse menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë, dyfishoi shifrat në minutën e 51-të, duke i dhënë drejtim skuadrës së tij. Në minutën e 81-të, Cikalleshi u zëvendësua, por ai e la fushën mes duartokitjesh të publikut, që ishin shenjë falënderimi për lojën dhe golat.