AlbanianSport.com 08/02/2019 14:45
ASNN – Synimi i tij është, ta çojë ekipin që drejton në fazën finale të Botërorit 2022. Karlos Keirozi arrin në Bogota për të marrë punën e tij të re si trajner i Kolumbisë. Keirozi zëvendëson kështu argjentinasin Hoze Pekerman i cili u largua nga posti në shtator. Emërimi i Keirozit pritej nga të gjithë, por Kolumbia duhej të priste deri në përfundim të Kupës së Azisë për të nënshkruar kontratën me trajnerin portugez.
Ndërsa atij iu desh të largohej nga kombëtarja e Iranit për të marrë detyrën e re. Keirozi ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare dhe detyra e tij e parë e madhe është drejtimi i Kolumbisë në Kupën e Amerikës, në Brazil. Ai tha se qëllimi i tij është të ruajë historinë dhe vendin që Kolumbia zë sot në botë”. Kjo është përfaqësuesja e 5-të, që udhëheq, ish-trajneri i Real Madridit, 3 prej të cilave ai i ka çuar në fazën finalet e Botërorit.
Keirozi drejtori Afrikën e Jugut në “Kore të Jugut/Japoni 2002”, Portugalinë e tij në “Afrikë e Jugut 2010” dhe Iranin në dy Botërorët e fundit në Brazil (2014) dhe Rusi (2018). 65-vjeçari gjithashtu drejtoi për një kohë të shkurtër Emiratet e Bashkuara Arabe në fund të viteve 1990. Ai pritet që të ndihmojë Kolumbinë të shkojë në fazën finale të Botërorit edhe në Katar në vitin 2022.
“Ai është trajner evropian. Shumica e lojtarëve të ekipit kombëtar luajnë në Evropë, metodat e tij mund të jenë shumë të ngjashme me ato që lojtarët kanë në klubet e tyre dhe kjo është shumë e rëndësishme”, – tha analisti i “Radio Blu Radio”, Pablo Rios, duke folur për trajnerin më të ri të përfaqësueses së vendit amerikanolatin.