AlbanianSport.com 07/02/2019 14:20
ASNN – Pas përditësimit të fundit të renditjes së FIFA-s për skuadrat përfaqësuese, vjen një tjetër lajm negativ për Shqipërinë e një pozitiv për Kosovën. Kështu, përfaqësuesja e Shqipërisë e trajnerit Kristian Panuçi ka humbur sërish një vend në këtë renditje, duke zbritur nga vendi i 60-të që kishte më parë, në vendin e 61-të. Kjo rënie, edhe pse e papërfillshme, është në vazhdën e një rënie të qëndrueshme prej disa muajsh e kombëtares kuqezi, e cila dështoi tërësisht në Ligën e Kombeve dhe nuk ka pasur rezultate të mira në vazhdimësi.
Ndërkohë, Kosova vijon të rritet. Edhe pse ky përmirësim është fare i vogël, me vetëm një pozicion, duhet parë në vazhdën e përmirësimeve të ndjeshme e gati spektakolare të Kosovës në muajt e fundit. Ku nga vendi i 180-të ka arritur tani në vendin e 130-të. Nëse rezultatet pozitive të Kosovës do të vijojnë të jenë të njëjta edhe në Eliminatoret e Kampionatit Evropian, atëherë përfaqësuesja shqiptare e Kosovës do të kapë brenda disa muajsh kuotën e 100 vendeve të para.
Vendimtare për të dy skuadrat përfaqësuese shqiptare do të jenë ndeshjet e ardhshme eliminatore që nisin në muajin mars. Në ndryshimet e fundit kanë ndikuar ndeshjet e skuadrave të tjera që kanë pozita pak a shumë të njëjta, sidomos vendet aziatike që ishin pjesëmarrëse në Kupën e Azisë, të cilën e fitoi Katari. Ky i fundit bëri një kapërcim spektakolar me 35 vende përmirësim. Kuptohet, vendin e parë e mbajnë Belgjika dhe Franca, si skuadrat më të mira të momentit në botë.