AlbanianSport.com 07/02/2019 12:30
ASNN – Klubi francez pret deri në fund të javës arkëtimin e 15 milionë stërlinave për sulmuesin e humbur. Nanta i kërkon Kardif Sitit t’i paguajë 15 milionë stërlina angleze për Emiliano Salan. Sulmuesi argjentinas ende nuk është gjetur, por të dy klubet kanë nisur të mendojnë për paratë. Emiliano Sala ka qenë emri më i dëgjuar në këto javë, pasi u bë transferimi më i shtrenjtë në historinë e Kardif Sitit dhe për shkak të atij fluturimi famëkeq.
Të gjithë tashmë e dimë historinë e dhimbshme të sulmuesit 28-vjeçar, i cili vazhdon të kërkohet edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga zhdukja e tij. 15 milionë stërlina duhet të paguante Kardifi për sulmuesin argjentinas, shumë që duhet të kalonte në llogaritë e skuadrës franceze të Nantës. Megjithatë, kjo shumë ende nuk është transferuar në llogaritë e klubit francez, që sipas rrjetin britanik, BBC, është gati ta hedhë në gjyq Kardifin.
Edhe pse shumë vazhdojnë të jenë të tronditur nga ngjarja e ndodhur, bordi drejtues i Nantës e ka mendjen tek paratë dhe në rast se 15 milionë stërlina angleze nuk paguhen brenda kësaj jave, do t’i drejtohen dyerve të gjyqit. Ndërkohë te Kardifi, kanë thënë se nuk do ta bëjnë pagesën derisa të gjendet lojtari, i gjallë apo i vdekur, dhe derisa të kuptohen shkaqet e rrëzimit të aeroplanit.